Emrat e Allahut

10

الظَّاهِرُ

Edh-Dhahiru

i Larti

Kategoria

  • Madhështia

Shiko përreth… A s’e sheh Madhështinë e Tij?

Edh-Dhahir është i Larti, mbi çdo gjë. Shenjat e Tij janë të dukshme në qiell, në tokë dhe në ty vetë.

Ndër emrat e bukur të Allahut të Madhëruar, me të cilët Allahu e ka përshkruar Vetën e Tij është edhe emri Edh-Dhahiru duke e cekur vetëm një herë në Kur' an në një ajet, në suren Hadid, ku i madhi Allah xh.sh. thotë:

هُوَ ٱلْأَوَّلُ وَٱلْـَٔاخِرُ وَٱلظَّٰهِرُ وَٱلْبَاطِنُ وَهُوَ بِكُلِّ شَىْءٍ عَلِيمٌ“Ai është i Pari që s'ka fillim dhe i Fundit që s'ka mbarim, është i Larti dhe i Afërti dhe Ai është më i Dijshmi për çdo gjë.“ (Hadid: 3)

Në hadithin e Ebu Hurejres r.a. ka ardhur se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, i ka urdhëruar që kur të shtrihen për të fjetur, të shtrihen në krah të djathtë dhe të thonë:

“O Zot, Zoti i qiejve, Zot i tokës, Zot i Fronit (Arshit) të madh, Zoti ynë dhe Zoti i çdo gjëje, zbërthyes i farës dhe bërthamës (i bën ato të mugullojnë), ke zbritur Tevratin, Inxhilin dhe Furkanin (Kur'anin), kërkoj prej Teje të më ruash nga sherri i çdokujt, që Ti e ke në dorë (nga sherri i çdo krijese). O Zot, Ti je i Pari nuk ka asgjë para Teje, Ti je i Fundit, që s'ka pas Teje asgjë, (mbetesh gjallë pas shkatërrimit të krijesave), Ti je i Larti, nuk ka asgjë sipër Teje, Ti je më i Afërti, nuk ka asgjë më afër sesa Ti, na e laj borxhin dhe na pasuro nga varfëria!“

Taberiu ka thënë: “Edh-Dhahiru është ai që është mbi çdo gjë, çdo gjë tjetër është poshtë Tij, e Allahu është mbi çdo gjë, ashtu që asgjë nuk ka sipër Tij”. Këtë e sqaron edhe hadithi i lartpërmendur i Pejgamberit, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ku mes të tjerash tha: “...Ti je i Larti, nuk ka asgjë sipër Teje...”. Kuptimi i këtij emri është se Allahu është më i larti, Ai është sipër Fronit të madh, që është krijesa më e lartë, është çatia e krijesave, mbi të është Lartmadhëria e Allahut, xh.sh..

Ibnu Kajimi ka thënë: “Pjesë e pandashme e kuptimit të emrit Edh-Dhahir është që të mos jetë askush mbi Të, ashtu siç ka ardhur në hadith të vërtetë: “...Ti je i Larti, nuk ka asgjë sipër Teje...”, por Allahu, subhanehu ve teala, është mbi çdo gjë. Kush e mohon që Allahu është më i larti, ai në fakt e ka mohuar kuptimin e emrit Edh-Dhahir, sepse nuk mund të jetë Edh-Dhahir vetëm ai që ka pushtetin më të lartë, edhe pse Allahu edhe me pushtet edhe me fuqi është më i larti.

Emri Edh-Dhahiru mund të ketë edhe kuptimin tjetër, siç ka thënë Hatabi: “Edh-Dhahiru, i dukshëm me argumentet e Tij, me krijesat e Tij, me veprat e Tij, të cilat të shpijnë drejt Tij, drejt njohjes së Tij dhe pranimit e dëshmisë se Ai është Allahu, krijuesi i çdo gjëje, se Ai meriton të adhurohet e të njihet Zot i vetëm. Këto argumente shpien në veçimin e tij me adhurim. Allahu është i Larti me fuqinë e Tij (kudretin e Tij), është mbi çdo gjë. Mund të jetë kuptimi me Edh-Dhahir se është i lartë me Qenien e Tij (el-uluv), e mund të jetë kuptimi me pushtetin e Tij (el-galebetu)”. Ngjashëm ka thënë edhe Nesefiu.

Nga këto fjalë kuptohet se Ai është i dukshëm me logjikën e shëndoshë, i dukshëm me argumente të cilat i sheh, i dëgjon dhe i studion njeriu. Çdo gjë tregon se Allahu është më i Larti, më i madhi, më i fuqishmi.