Emrat e Allahut

13

ٱلْقُدُّوسُ

El-Kud-dus

I Pastri

Kategoritë

  • Bukuria
  • Madhështia

A e njeh Atë që është i pastër nga çdo e metë?

El-Kuddus është i Shenjti, i zhveshur nga çdo mangësi. Asgjë e papërsosur nuk i përket Allahut.

Ndër emrat e bukur të Allahut me të cilët Allahu e ka emërtuar lartmadhërinë e Tij është edhe emri El-Kud-dusu, i Pastri, i Shenjti, i Shndritshmi. Allahu është i pastër dhe i zhveshur nga çdo e metë a mangësi që mund t'i mvishet. Ky emër është cekur në Kur'an dy herë.

Se pari te fjala e Allahut xh.sh. ne suren El-Hashr:

هُوَ ٱللَّهُ ٱلَّذِى لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْمَلِكُ ٱلْقُدُّوسُ ٱلسَّلَٰمُ ٱلْمُؤْمِنُ ٱلْمُهَيْمِنُ ٱلْعَزِيزُ ٱلْجَبَّارُ ٱلْمُتَكَبِّرُ سُبْحَٰنَ ٱللَّهِ عَمَّا يُشْرِكُونَ“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi i Përgjithshëm, i Pastri (nga çdo e metë), Paqedhënësi...“ (Hashr: 23)

Dhe tek ajeti në suren El-Xhumuah:

يُسَبِّحُ لِلَّهِ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ ٱلْمَلِكِ ٱلْقُدُّوسِ ٱلْعَزِيزِ ٱلْحَكِيمِ“Çka ka në qiej dhe çka ka në tokë bën tesbih Allahun, Sunduesin, të Pastrin nga çdo e metë, të Fuqishmin e të Urtin“. (Xhumuah: 1)

Kuptimi gjuhësor i emrit el-kud-dus

Emri el-kud-dus në aspektin gjuhësor ka dy kuptime kryesore.

I pari: El-kud-dus është marrë prej fjalës el-kuds, që do të thotë pastërti. Jerusalemi është quajtur Bejt El-Makdis sepse është vend ku njeriu pastrohet nga mëkatet. El-kades i thuhet enës së madhe apo vaskës me të cilën lahet njeriu.

I dyti: El-kudsu është bereqeti, ndërsa toka e Kudsit (el-erdu el-mukad-deseh) është toka e bereqetshme, tokë e bekuar.

Kuptimi i emrit el-kud-dus sa i përket lartmadhërisë se Allahut xh.sh.

Sa i përket kuptimit të këtij emri për Allahun e lartmadhëruar, kuptimi i tij është:

Hatabi ka thënë: “El-Kud-dus është i pastër nga të metat, i zhveshur nga rivalët (ortakët), nga fëmijet“.

Bejhakiu ka thënë: “El-Kud-dus, i pastër nga të metat, i zhveshur nga të pasurit fëmijë dhe rival, është cilësi të cilën e meriton me lartmadhërinë e Tij“.

Taberiu për ajetin kur'anor:

وَإِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلَٰٓئِكَةِ إِنِّى جَاعِلٌ فِى ٱلْأَرْضِ خَلِيفَةً قَالُوٓا أَتَجْعَلُ فِيهَا مَن يُفْسِدُ فِيهَا وَيَسْفِكُ ٱلدِّمَآءَ وَنَحْنُ نُسَبِّحُ بِحَمْدِكَ وَنُقَدِّسُ لَكَ قَالَ إِنِّىٓ أَعْلَمُ مَا لَا تَعْلَمُونَ“...ndërkohë që Në të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!“ Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini“ (Bekare: 30),
ka thënë: “Ne të bëjnë tesbih, të lavdërojmë, të pastrojmë Ty nga ajo që ta veshin idhujtarët që të bëjnë shirk, ne falemi për Ty, të atribuojmë cilësitë që i meriton Ti si pastërtia nga çdo njollë të cilën ta veshin ata që të bijnë kufër“.

Allahut i përkasin cilësitë e përkryera, me të cilat e ka përshkruar Vetën e Tij, subhanehu ve teala, siç ka thënë Allahu për Vetën e Tij:
فَاطِرُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ جَعَلَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَٰجًا وَمِنَ ٱلْأَنْعَٰمِ أَزْوَٰجًا يَذْرَؤُكُمْ فِيهِ لَيْسَ كَمِثْلِهِۦ شَىْءٌ وَهُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْبَصِيرُ“..Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha“. (Shura: 11)

Allahu i Madhëruar ashtu siç është i pastër nga mangësitë në emrat dhe cilësitë e Tij, është i pastër edhe nga mangësitë në fjalët dhe veprat e Tij, pasi në çdo gjë Allahu është i përkryer, subhaneh ve teala. Ai nuk gabon, nuk harron, nuk ngutet dhe nuk i ka mangësitë e tjera që kanë krijesat e Tij.

Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, e thoshte shpesh këtë emër të Allahut në ruku dhe sexhde. Është transmetuar nga Aishja r.a. se Pejgamberi, sal-Allahu alejni ve sel-lem, thoshte në rukunë dhe sexhden e tij:

“(Ti je) i lavdëruar, i pastër (të bëjmë tesbih dhe të pastrojmë nga çdo e metë) Zot i melaikeve dhe i Xhibrilit“

Pasi falte namazin e vitrit, ai bënte tesbih dhe e përmendte këtë emër. Ne hadithin e Ubej Bin Keabit r.a. ka ardhur se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, lexonte në namazin e vitrit “Seb-bihismeRab-bike el-E'ala“ (në rekatin e parë), “Kul ja ejuhel kafirun“ (në rekatin e dytë) dhe “Kul huvallahu ehad“ (në rekatin e tretë) e kur jepte selam, thoshte tri herë:

“Subhane el-Melik el-Kud-dus. I lartësuar është Sundimtari, i Pastri“.

*Nga frytet e besimit në këtë emër të bukur është që Allahu të madhërohet, të lavdërohet, të adhurohet, të duhet, tek Ai të shpresohet, nga çdo e metë e mangësi që ia kanë mveshur jobesimtarët të pastrohet.