Emrat e Allahut

42

الْغَفُور

El-Gafur

Falësi, Ai që fal shumë

Kategoritë

  • Falja
  • Mëshira

Ai që i fal të gjitha gabimet

El-Gafur është Falësi që mbulon çdo mëkat — sa herë që kërkon falje me zemër, Ai të përgjigjet me mëshirë të pafund.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Gafur dhe El-Gaf-far - Ai që i fal robërit e Tij dhe e pranon pendimin e tyre, ua mbulon mëkatet e tyre.

Emri El-Gafur është cekur 91 herë në Kur’an, ku në shumicën e rasteve vjen së bashku apo i shoqëruar me emrin Err-Rrahim, si për shembull ajeti: 

نَبِّئْ عِبَادِىٓ أَنِّىٓ أَنَا ٱلْغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ“Lajmëroji robërit e Mi (o Muhamed) se, vërtet, Unë jam Falësi i madh, Mëshirëploti” (Hixhr: 49)

Pastaj ajeti:

قُلْ يَٰعِبَادِىَ ٱلَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ ٱللَّهِ إِنَّ ٱللَّهَ يَغْفِرُ ٱلذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُۥ هُوَ ٱلْغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj (që keni bërë shumë gjunahe), mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjunahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Zumer: 53)”

Dhe ajete të tjera.

Ndërsa emri El-Gaf-far është cekur 5 herë në Kur’an, si në ajetin:

خَلَقَ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ بِٱلْحَقِّ يُكَوِّرُ ٱلَّيْلَ عَلَى ٱلنَّهَارِ وَيُكَوِّرُ ٱلنَّهَارَ عَلَى ٱلَّيْلِ وَسَخَّرَ ٱلشَّمْسَ وَٱلْقَمَرَ كُلٌّ يَجْرِى لِأَجَلٍ مُّسَمًّى أَلَا هُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْغَفَّٰرُ“...Vërtet, Ai është i Plotfuqishëm dhe Falës i Madh”! (Zumer:5)

Pastaj në ajetin:

فَقُلْتُ ٱسْتَغْفِرُوا رَبَّكُمْ إِنَّهُۥ كَانَ غَفَّارًا“...e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh.” (Nuh: 10)

Dhe në ajete të tjera.

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Përshkrimi i Allahut se Ai është El-Gafur dhe El-Gaf-far, fal dhe mbulon të gjitha mëkatet, çfarëdo qofshin ato mëkate, të mëdha apo të vogla, dhe sado shumë qofshin ato, madje edhe nëse është shirk apo kufër, por me kusht që njeriu të pendohet dhe të kërkojë falje te Zoti i tij, pasi Ai ia pranon pendimin dhe e fal atë. Allahu xh.sh. ka thënë:

قُلْ يَٰعِبَادِىَ ٱلَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ ٱللَّهِ إِنَّ ٱللَّهَ يَغْفِرُ ٱلذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُۥ هُوَ ٱلْغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime vetën tuaj (që keni bërë shumë gjunahe), mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjunahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Zumer: 53)

Dhe:

وَمَن يَعْمَلْ سُوٓءًا أَوْ يَظْلِمْ نَفْسَهُۥ ثُمَّ يَسْتَغْفِرِ ٱللَّهَ يَجِدِ ٱللَّهَ غَفُورًا رَّحِيمًا“Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjunahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Nisa: 110)

-Dashuria ndaj Allahut xh.sh., sepse kur njeriu e di sa i mëshirshëm është Zoti ndaj robërve të Tij dhe sa shumë fal e ua mbulon mëkatet, atëherë atij i shtohet dashuria ndaj Zotit dhe kjo dashuri lë gjurmë në zemrën e tij, duke mos e lënë të bëjë mëkate. Gjurma e saj e bën të turpërohet nëse i bën mëkat Zotit të tij, madje edhe nëse rrëshqet dhe bën ndonjë mëkat, ai këndellet, kërkon falje dhe pendohet te Zoti.

-Hapja e dyerve të pendimit, të kërkim faljes. Allahu xh.sh. ia ka hapur njeriut dyert e pendimit, i ka ofruar shkaqet për ta arritur faljen e Tij, që është nëpërmjet tevbes, istigfarit, pastaj nëpërmjet veprave të mira, pastaj me shpresë dhe besim te mëshira e madhe e Allahut dhe vepra të tjera të cilat i ka bërë Allahu shkak për falje.

-Shpeshtimi i kërkimfaljes. Kur’ani dhe Suneti na mësojnë se duhet të biem në istigfar sa më shumë dhe sa më shpesh, të kërkojmë falje nga Allahu i Madhëruar, madje të gjithë muslimanët janë të edukuar që kërkimin e faljes ta kenë vepër të tyre të përditshme.

Dallimi mes emrit el-gafur dhe el-gaf-far

Emri El-Gaf-far është falës i vazhdueshëm, fal shumë herë, herë pas herë, sa herë që përsëritet mëkati dhe pastaj kërkohet falje, i falet atij njeriut pavarësisht sa shpesh ndodh e njëjta gjë, ndërsa El-Gafur është falës i tërë mëkatit, e fal atë plotësisht.