II
Pozita e Emrave të Allahut xh.sh
Feja më e mirë është Islami, njerëzit më të mirë janë muslimanët, njerëzit më me vlerë janë dijetarët, dija më e vlefshme është dija rreth Allahut xh.sh.. Në Kur'an, Allahu xh.sh. ka thënë:
“...Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?!.. “ (Zumer: 9)
Gjithashtu ka thënë:“..vërtet dijetarët janë ata që ia kanë frikën Allahut...“ (Fatir: 28)
Ibnu Kethiri në komentin e këtij ajeti ka thënë: “Frikën e vërtetë Allahut ia kanë dijetarët, të cilët e njohin Atë, sepse sa më shumë e njeh të Madhin, të Dijshmin, sa më shumë e përshkruan me cilësitë e përkryera dhe me emrat e bukur, aq më shumë ia ke frikën Atij.
Nuk ka dyshim se me këtë lëvdatë për dijetarët Allahu ka për qëllim dijetarët e fesë, jo dijetarët e shkencave të dunjas, shumica e të cilëve as që e njohin Allahun, e lëre më t'i frikësohen Atij.
Ajetet dhe hadithet që kanë ardhur për lavdërimin e dijetarëve kryesisht kanë të bëjnë me dijetarët apo ulemanë islame, të cilët pasojnë dhe përcjellin dijen e Pejgamberëve, alejhimu selam, dhe i udhëzojnë e drejtojnë njerëzit drejt Krijuesit të tyre.
Po, edhe dijetarët e tjerë mund të hyjnë në këto tekste, por me kusht që ta kenë nijetin e mirë, për hir të Allahut, për t'i kontribuar shoqërisë. Megjithatë nuk arrijnë në gradën e dijetarëve të fesë, të cilët u mësojnë njerëzve se kush është Zoti i tyre, çfarë kërkon Zoti prej tyre, si ta njohin ata Zotin e tyre dhe kështu me radhë.
Nuk ka dyshim se dija më e vlefshme është dija që ka të bëjë rreth Krijuesit, Zotit të gjithësisë, e kjo arrihet nëpërmjet njohjes së emrave të Tij të bukur.
Shkenca apo dija që merret me emrat e bukur të Allahut është shkenca më e ëmbël, më e shtrenjtë, më e dashur për Allahun dhe për muslimanët. A ka diçka më të ëmbël dhe më me vlerë sesa të njohësh Allahun, Krijuesin e githësisë?! Ai që e njeh Allahun, e do Atë, shpreson tek Ai, i afrohet Atij, tërë jetën mundohet t'ia kushtojë Atij. Ai që e njeh Allahun, ia ka frikën, i ruhet çdo fjale a vepre që nuk e do Allahu. Sa më mirë ta njohësh Allahun, aq më afër Tij je, sa më afër Tij, aq më i qetë, më stabil, më i lumtur jo vetëm në këtë botë, por edhe në tjetrën.
Terë kjo arrihet duke i njohur emrat e Tij, subhanehu ve teala, kuptimin apo domethënien e tyre dhe duke punuar me ta. Kështu që dija më e vlefshme dhe më e rëndësishme është ajo që ka të bëjë me njohjen e emrave të bukur dhe cilësive të përkryera të Allahut xh.sh.
Kur'ani është i mbushur me përshkrimin e emrave dhe cilësive të Allahut xh.sh.. Është vështirë të gjesh ndonjë ajet, që nga fillimi i Kur'anit e deri në fund, i cili nuk ka në të ndonjë emër apo cilësi të Allahut xh.sh.. Ibnu Tejmije ka thënë: “Kur'ani më shumë përmend emrat dhe cilësitë e Allahut sesa përmend ushqimin, pijen dhe martesën në xhenet. Ajetet që flasin për emrat dhe cilësitë e Allahut janë më të mëdha sesa ajetet që flasin për botën tjetër.
Ajeti më i madh në Kur'an e përfshin këtë, siç ka ardhur në hadithin e vërtetë, të cilin e transmeton Muslimi nga Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ku i thotë Ubej Bin Keabit r.a.
“A e di ti cili është ajeti më i madh që ke ti nga Libri i Allahut?“ Tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë“. Tha: “O Ebu El-Mundhir, a e di ti cili është ajeti më i madh që ke ti nga Libri i Allahut?“ “Allahu la ilahe il-la hu El-Haj-ju El Kaj-jumu“. Tha (Ubeji): “I mëshoi (Pejgamberi, alejhi selam) gjoksit tim dhe tha: “Urime (e gëzofsh) për dijen tënde!“
Ky ajet është ajet Kursij, tesbihdova, siç njihet te ne. Është ajeti më i madh në Kur'an sepse përmbledh tevhidin e Allahut, e lavdëron dhe e madhëron Allahun dhe përmend emrat e bukur dhe cilësitë e përkryera të Allahut.
Po ashtu surja më e vlefshme është surja Um-mu El-Kur'an (Fatiha), siç ka ardhur në hadithin e vërtetë të Ebu Seid Bin El-Mual-las, të cilit Pejgamberi i tha se ajo është:
“...Elhamdulilahi rabilalemin shtatë ajetet që përsëriten ”, sure në të cilën janë cekur emra dhe cilësi të Allahut më shumë dhe më me vlera sesa është cekur kthimi në botën tjetër.
Njeriu është krijuar për të adhuruar Allahun xh.sh. dhe nuk ka mundësi ta adhurojë Atë si duhet pa e njohur. Nuk ka mundësi ta njohësh Atë ndryshe vetëm se nëpërmjet emrave dhe cilësive të Tij, subhanehu ve teala.
Është detyrë parësore për besimtarin që t'i njohë emrat dhe cilësitë e Allahut xh.sh., ti njohë kuptimet e tyre, domethënien e tyre, në mënyrë që ta adhurojë Allahun ashtu si kërkohet prej tij. Ibnu Kajimi ka thënë: “Misioni (daveti) i Pejgamberëve sillet rreth tri bazave.
Baza e parë është të informuarit se kush është Allahu, tek i Cili ata ftojnë. Kjo bëhet nëpërmjet emrave, cilësive dhe veprave të Tij.
Baza e dytë është të informuarit e rrugës që të shpie tek Ai, që është përkujtimi i Tij, falënderimi i Tij, adhurimi i Tij, që ka të bëj me dashurinë ndaj Tij dhe nënshtrimin ndaj Tij.
Baza e tretë është të informuarit se çfarë do kenë ata pasi të arrijnë tek Ai në botën tjetër nga dhuntitë e ndryshme. Më e mira dhe më e çmuara prej tyre është kënaqësia e Tij ndaj tyre dhe mundësia që ta shohin Atë“