52
الْحَسِيبُ
El-Hasib
Llogarimarrësi, Llogaritësi, I Mjaftueshmi
Kategoritë
- Dituria
- Mbrojtja
Allahu të mjafton për çdo gjë
El-Hasib është Ai që mjafton dhe llogarit çdo vepër — jeto me kujdes, sepse çdo hap ka peshë te Ai.
Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Hasib - Llogarimarrësi. Ai që do t’i marrë të gjitha krijesat në llogarinë, Ai që u mjafton krijesave të Tij në çdo gjë.
Ky emër i Allahut është përmendur tri herë në Kur’an, si në ajetin:
Mjafton që Allahu është Llogaritës.
Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.
-Allahu xh.sh. u mjafton robërve të Tij në çdo gjë dhe për çdo gjë, për dunja dhe për ahiret, ata çdo gjë e kanë prej Tij, pasi e kanë të pamundur jetesën pa Të, subhanehu ve teala. Nëse dikush mendon se mund të mbijetojë pa Allahun, ai e ka shumë gabim sepse çdo gjë që i duhet njeriut, madje edhe vetë njeriu, është prej Allahut, është krijesë e Tij, siç ka thënë imam Gazaliu.
-Për çdo fjalë a vepër që bën njeriu, do llogaritet për të para Allahut, El-Hasib, ndaj duhet të jetë syçelë dhe vigjilent se çfarë flet dhe vepron, prandaj Dita e Kiametit quhet edhe Jevm el-Hisab, Dita e Llogaridhënies.
-Allahu u mjafton robërve të Tij, është El-Kafi, në veçanti nëse ata janë të sinqertë dhe të devotshëm, muslimanë të denjë, u mjafton për çdo gjë. Kjo është përkujdesje dhe mjaftueshmëri e veçantë për robërit e Tij të veçantë, siç ka thënë Allahu xh.sh. për evliatë dhe miqtë e Vet:
Në hadithin e Enes Bin Malikut r.a. ka ardhur se Pejgamberi, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Njeriu kur del nga shtëpia e tij, nëse thotë: “Bismilah, Allahut iu mbështeta, s’ka fuqi e as ndihmës pos Allahut (bismilah, tevek-keltu ala Allah, la havle ve la kuv-vete il-la bil-lah), i thuhet atij: Je udhëzuar, je mjaftuar dhe je mbrojtur, atëherë ikën shejtani nga ai dhe i thotë atij (shejtani) një shejtan tjetër: Çfarë të kërkosh nga një njeri i cili është udhëzuar, është mjaftuar dhe është mbrojtur?”
Pra, personi i tillë është i udhëzuar në rrugë të drejtë e të vërtetë, tarik mustekim, është mjaftuar nga çdo telash e brengë e dunjasë apo e ahiretit, është mbrojtur nga çdo sherr i çdo armiku të tij nga shejtanët apo njerëzit ose dikush tjetër. Allahu i ka mjaftuar atij për çdo gjë, ai është në përkujdesjen e Tij të veçantë. Allahu na bëftë prej tyre, amin!