Emrat e Allahut

81

الْبَدِيعُ

El-Bediu

Shpikësi

Kategoria

  • Krijimi

Kush krijoi pa asnjë shembull të mëparshëm?

El-Bediu është Shpikësi. Kur dëshiron diçka, thotë «Bëhu!» dhe ajo bëhet — pa model e pa ngjashëm.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Bediu, Shpikësi,Krijuesi i ekzistencës nga mosqenia, Krijuesi i çdo gjëje pa kurrfarë modeli të mëparshëm.

Ky emër i bukur i Allahut është cekur dy herë në Kur’an, në ajetin:

بَدِيعُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَإِذَا قَضَىٰٓ أَمْرًا فَإِنَّمَا يَقُولُ لَهُۥ كُن فَيَكُونُ“Ai është Shpikësi (Krijuesi) i qiejve dhe i tokës, pa shembull të Mëparshëm. Kur dëshiron diçka, Ai vetëm i thotë: ”Bëhu!” dhe ajo bëhet”. (Bekare: 117)

Si dhe në ajetin: 

بَدِيعُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ أَنَّىٰ يَكُونُ لَهُۥ وَلَدٌ وَلَمْ تَكُن لَّهُۥ صَٰحِبَةٌ وَخَلَقَ كُلَّ شَىْءٍ وَهُوَ بِكُلِّ شَىْءٍ عَلِيمٌ“Ai është Shpikësi (Krijuesi) i qiejve dhe i tokës, pa shembull të mëparshëm. E si do të ketë Ai fëmijë kur nuk pati bashkëshorte? Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë”. (Enam: 101)

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Allahu xh.sh. është Krijues i kësaj gjithësie, Ai ka qenë dhe nuk ka pasur asgjë me Të e pastaj ka krijuar gjithçka që ka dashur pa shembull të mëparshëm, ka krijuar nga asgjëja, nga mosqenia.

-Adhurimi dhe madhërimi i Allahut xh.sh., Shpikësit të çdo gjëje, ta falënderojmë Atë, t‘i bëjmë tesbih lartmadhërisë së Tij, ta lartësojmë Atë nga çdo e metë që ia kanë veshur të tjerët.

-Modestia para lartmadhërisë së Tij, kur njeriu e di se çfarë ka krijuar Allahu, se kush është Zoti i Tij dhe se Ai ka krijuar çdo gjë, atëherë duhet të jetë modest dhe të ndihet shumë i vogël para Tij, subhanehu ve teala. 

-Të medituarit në krijimin e kësaj gjithësie, si në krijimin e qiejve, tokës dhe çfarë ka mes tyre, krejt çfarë sheh njeriu me sy, e mahnit atë për nga krijimi, për nga forma e tij, përbërja e tij, funksioni i tij, etj..