18
الْجَبَّارُ
El-Xhebbar
I Gjithëfuqishmi, Mbizotëruesi ndaj çdo gjëje
Kategoritë
- Fuqia
- Madhështia
- Mëshira
Kush i shëron zemrat e thyera?
El-Xhebbar është Ai që ngre të përkulurin, i jep forcë të dobëtit dhe e shfaq drejtësinë pas çdo padrejtësie
Ndër emrat e bukur të Allahut me të cilët Allahu e ka emërtuar lartmadhërinë e Tij është edhe emri El-Xhebbar Rregullues, Përmirësues i çështjeve.
Ky emër i bukur i Allahut xh.sh. ka ardhur vetëm një herë në Kur’an, te fjala e Allahut në suren El-Hashr:
Kuptimi i emrit el-xhebbar sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh
Ndërsa kuptimi i emrit el-xheb-bar në hakun e Allahut xh.sh. sillet rreth tre kuptimeve:
I pari: Rregullues, përmirësues i çështjeve. Allahu xh.sh. është rregullues i çështjeve të krijesave të Tij, përmirësues i gjendjes së tyre. Ai shëron të sëmurin, pasuron të varfrin, i mjafton të dobëtit apo të ligut, e mposht apo e mund të fortin, zullumqarin e mizorin, ia lehtëson vështirësitë atij që është në siklet, i jep sabër e durim të sprovuarit dhe ia lehtëson tejkalimin e sprovave. Ai u jep shpërblim të veçantë atyre që i sprovon duke ua falur mëkatet në dunja dhe duke i shpërblyer në ahiret. Ua shton dashurinë ndaj Allahut dhe ndaj çdo vepre të mirë që i shpie robërit e Tij të devotshëm drejt Tij dhe ua përmirëson gjendjen e tyre të përgjithshme. Kur njeriu lutet duke thënë: ‘Allahume uxhburni’, ka për qëllim: -O Zot, ma përmirëso gjendjen time, m’i largo të gjitha të ligat e të këqijat! Lutje të ngjashme bënte Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sellem, në namaz mes dy sexhdeve, siç ka ardhur në hadithin e Abdullah Bin Abasit, se Pejgamberi, alejhi selam, thoshte mes dy sexhdeve:
“Zoti im, më fal mua, më mëshiro, më përmirëso, më udhëzo dhe më furnizo!”.
I dyti: Mbizotërues i çdo gjëje, i Gjithëfuqishmi, i cili me fuqinë e Tij absolute, me pushtetin e Tij i shtyn apo i detyron krijesat e Tij të veprojnë çfarë do Ai, natyrisht sipas urtësisë që ua ka caktuar Allahu, si për shembull detyrimi i krijesave për të vdekur, pastaj ringjallja e tyre. Edhe për çështjet e dunjasë nuk i ka pyetur a duan të jenë meshkuj apo femra, shqiptarë, arabë apo afrikanë, pastaj u ka caktuar rizkun të cilit nuk mund t’i ikin, exhelin e tyre dhe çdo gjë tjetër. Jeta e tyre është brenda kaderit të Allahut, brenda pushtetit dhe nën pushtetin e Tij absolut, asgjë nuk mund të dalë jashtë pushtetit të Tij, ashtu sikurse nuk mund të ndodhë asgjë pa dijen dhe vullnetin e Tij, subhanehu ve teala, siç ka thënë Allahu xh.sh.:
Sigurisht se ky imponim apo detyrim i Allahut për krijesat e Tij i shkon për shtat urtësisë së Tij të përkryer.
*Vlen të thuhet se ky imponim apo detyrim i Allahut xh.sh. për krijesat e Tij ka të bëjë me vullnetin natyror, irade kaderie, jo me vullnetin fetar, irade sher'ijeh, që nënkupton se Allahu nuk i detyron ata të jenë muslimanë apo jomuslimanë, të veprojnë mirë apo keq, sepse çështja e besimit, çështja e veprimit mirë apo keq është plotësisht nëdorë të njeriut, por me vullnetin e Zotit xh.sh. dhe për këtë kemi ajete të shumta, si fjala vjen ajeti i sures Kehf:
Për këtë kemi folur në detaje në librin tonë Besimi në kader, ndaj kush dëshiron të lexojë më shumë rreth çështjes së caktimit apo kaderit, rreth çështjes së lirisë së veprimit, le të lexojë aty.
I treti: Më i larti që nuk mund ta arrijë askush. I lartë me të gjitha kuptimet e kësaj fjale, i lartë me madhërinë e Tij, i lartë me fuqinë e Tij, i lartë me pozitën e Tij .
Nga frytet e besimit në këtë emër
Njohja e madhështisë së Allahut xh.sh., shtimi i frikës dhe dashurisë ndaj Tij, i mbështetjes në Të në çdo gjë, kërkimi i ndihmës nga Ai, bindja se Ai ka fuqi që ta ndihmojë njeriun në çdo gjë, t’ia marrë hakun të dobëtit, ta mposhtë kriminelin etj..
-Të qenët modest para lartmadhërisë së Tij, që arrihet duke u pajtuar me atë që ta ka caktuar Allahu, me kaderin e Tij. Po ashtu të qenët modest edhe para robërve të Tij sepse Allahu e mposht mendjemadhin e zullumqarin, atë që u bën zullum krijesave të Tij
-Emri El-Xhebar, i Gjithëfuqishmi, Mbizotëruesi ndaj çdo gjëje, dhe cilësia e mbizotërimit (el-xhebr), në raport me Allahun është lëvdatë me të cilën lavdërohet i madhi Zot xh.sh., sepse siç cekëm më lart në këtë cilësi ka mëshirë, rahmet dhe begati për njerëzimin, me të Allahu mposht zullumqarët të cilët u hipin në kokë të ligjve apo të dobëtëve. Me këtë cilësi Allahu i shkatërroi të gjithë zullumqarët e kriminelët, si Firaonin, Karunin e deri te kriminelët e sotshëm, të cilët mendojnë se janë më të mëdhenjtë, më të lartët, se askush nuk ka çfarë u bën atyre, se janë të pamposhtur etj..
-Bindja se Allahu xh.sh. është Ai që ua rregullon çështjet robërve të Tij, ua përmirëson gjendjen e tyre të jashtme dhe të brendshme.
Kjo cilësi te njerëzit është e metë
El-xhebar te njerëzit është ai që bëhet mendjemadh, që e ndien veten më të lartë se të tjerët, më të privilegjuar, më të fortë se të tjerët e kështu me radhë. Është ai që i detyron të tjerët ta pasojnë, të shkojnë sipas tekave të tij.
Kjo cilësi te njerëzit është cilësi e keqe, e urryer, të cilën nuk e duan njerëzit në tokë ashtu siç nuk e do as Allahu lart në qiell. Allahu i ka kërcënuar ashpër të gjithë ata që e kanë këtë cilësi, se do i dënojë herët apo vonë, në këtë dunja apo tjetrën, madje do i dënojë shumë ashpër, siç ka thënë Allahu xh.sh.:
مِّن وَرَآئِهِۦ جَهَنَّمُ وَيُسْقَىٰ مِن مَّآءٍ صَدِيدٍ
يَتَجَرَّعُهُۥ وَلَا يَكَادُ يُسِيغُهُۥ وَيَأْتِيهِ ٱلْمَوْتُ مِن كُلِّ مَكَانٍ وَمَا هُوَ بِمَيِّتٍ وَمِن وَرَآئِهِۦ عَذَابٌ غَلِيظٌ
Në hadithin e Ebu Hurejrës ka ardhur se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Ditën e Kiametit shfaqet qafa e xhehenemit, ai ka dy sy me të cilët sheh, dy veshë me të cilët dëgjon dhe gjuhën me të cilën flet e thotë: -Jam autorizuar (ngarkuar) për tre lloje (njerëzish): për çdo kryelartë (xhebar) inatçi, për çdokënd që i ka bërë shirk Allahut dhe për skulptorët (ata që gdhendin figura gjallese)”.
Allahu na ruajt nga xhehenemi, na ruajt nga hidhërimi i El-Xhebar, na ruajt nga çdo e ligë, amin!