Emrat e Allahut

73

الْخَافِضُ , ٱلْرَّافِعُ

El-Hafidu, Err-Rrafiu

Përulësi, Lartësuesi

Kategoritë

  • Fuqia
  • Madhështia

Allahu është Ai që ngre e përul kë të dojë

El-Hafid përul mendjemadhin. Err-Rrafi lartëson të dashurit e Tij. Ngritja dhe përulja janë në dorën e Allahut.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Hafidu, Përulësi, Ai që përul dhe nënçmon çdo mendjemadh e tiran dhe emri Err-Rrafiu, Lartësuesi, Ai që ngre dhe lartëson të dashurit e Tij.

Emri El-Hafid nuk ka ardhur në Kur’an as si emër e as si folje, por ka ardhur në hadith si folje, ndërsa emri Err-Rrafiu nuk ka ardhur në Kur’an si emër i vetëm, por i bashkëngjitur me emër ose përemër, si në ajetin:

إِذْ قَالَ ٱللَّهُ يَٰعِيسَىٰٓ إِنِّى مُتَوَفِّيكَ وَرَافِعُكَ إِلَىَّ وَمُطَهِّرُكَ مِنَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا وَجَاعِلُ ٱلَّذِينَ ٱتَّبَعُوكَ فَوْقَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوٓا إِلَىٰ يَوْمِ ٱلْقِيَٰمَةِ ثُمَّ إِلَىَّ مَرْجِعُكُمْ فَأَحْكُمُ بَيْنَكُمْ فِيمَا كُنتُمْ فِيهِ تَخْتَلِفُونَ“(Kujto) kur Allahu tha: “O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre pranë Meje…” (Ali Imran: 55), por edhe në ajete të tjera.

Ndërsa në hadithe janë cekur të dy në formë foljeje, si:

-Hadithi i Ebu Musa Eshariut r.a., se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sellem ka thënë: “Vërtet Allahu nuk fle dhe nuk i përket Atij (është e pamundur) që Ai të flejë. Ai ngre rizkun dhe e përul atë (ia shton kujt të dojë dhe ia pakëson kujt të dojë). Tek Ai ngrihet puna (veprat) e ditës në fillim të natës dhe puna (veprat) e natës në fillim të ditës...”

-Hadithi i Ebu Derdas r.a., i cili ka thënë: “Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, për ajetin kur’aanor:يَسْـَٔلُهُۥ مَن فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ كُلَّ يَوْمٍ هُوَ فِى شَأْنٍ “...në çdo kohë Ai ushtron fuqinë e gjithëmbarshme (është i angazhuar me çështje)” (Err-Rrahman: 29), ka thënë: “Prej angazhimit të Tij është të falë mëkate, largon brengosje, lartëson disa njerëz, për ul të tjerë.”

Për këtë emër ka edhe hadithe të tjera. 

Kuptimi i këtyre dy emrave sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Zexh-xhaxhi ka thënë: “Allahu përul e nënçmon atë që meriton përulje nga armiqtë e Tij, ashtu sikurse ngre e lartëson atë që meriton ngritje e lartësim nga evliatë e Tij. Ua ngre pozitat në dunja duke ua ngritur fjalët e tyre, bindjen e tyre (fenë e tyre), ndërsa në ahiret ua ngre shkallët e tyre, falënderimi e lavëdrimi i qoftë Atij për mirësitë e dy botëve”.

Hatabi ka thënë: “El-Hafidu është Përulësi që përul mizorët, që nënçmon faraonët, mendjemëdhenjtë, ndërsa Err-Rrafiu është Lartësuesi që lartëson evliatë e Tij, të cilët e adhurojnë Atë, duke ua ngritur pozitat atyre, duke i ndihmuar ata kundër armiqve të tyre, duke ua bërë fundin e tyre të mirë. Nuk ngrihet vetëm se ai që e ka ngritur Allahu dhe nuk përulet pos ai që e ka përulur Allahu”.

Halimij ka thënë: “El-Hafidu, Err-Rrafiu janë dy emra që nuk bën të ndahen në lutje, por kur lutemi, i themi që të dy sepse El-Hafidu është Përulësi në caktime, kadere, ndërsa Err-Rrafiu është Lartësuesi në caktime, kadere”.

Seadi ka thënë: “Këta dy emra të bukur janë nga emrat që nuk bën të ndahen, por të lavdërohet Allahu me të dy, sepse përkryerja e Allahut xh.sh. arrihet kur bëhen bashkë këta dy emra, ashtu që Allahu është Ai i cili ngre njerëz me dije e me iman, e ul të tjerët, armiqtë e Tij”.

Nga frytet e besimit në këta dy emra të Allahut

-Ngritja e ulja, përulja e nënçmimi përdoren për vend, për famë dhe për nënçmim.

-Allahu i Madhëruar i ngre, i lartëson besimtarët, miqtë e Tij, por në anën tjetër i përul e nënçmon armiqtë e Tij.

-Ua ngre miqve të Tij fjalët e tyre, veprat e tyre, fenë e tyre, pozitën e tyre në dunja, ndërsa në ahiret ua ngre shkallët e tyre në xhenet. Ndërsa jobesimtarët i përul e nënçmon në dunja, i përul e nënçmon edhe në ahiret, kur do i fusë në xhehenem.

-Allahu është aktiv, për çdo ditë është i lidhur (ka qasje) me krijesat e Tij, bën çfarë do, fal kë do, ngre kë do, shëron kë do, pasuron kë do e të tjera, por në anën tjetër edhe përul kë do, nënçmon kë do, dënon kë do etj..

-Është edukatë e besimtarit që ngritjen dhe lartësimin mos ta kërkojë nga askush përveç Allahut, në dorën e të cilit është jeta e njeriut, është fati i tij, është lumturia e tij.

-Bindja se ngritja e lartësimi i vërtetë për besimtarin është të kapurit fort pas dini të Allahut, pas litarit të Tij dhe nënçmim i vërtetë e përbuzje është largimi nga dini, kryerja e harameve, bidateve dhe gjërave që i urren Allahu xh.sh..