Emrat e Allahut

48

القرِيبُ

El-Karib

I Afërti

Kategoritë

  • Mëshira
  • Mbrojtja
  • Dituria

Ai është më afër se ç’mendon

El-Karib është i Afërti që dëgjon çdo lutje — dëgjon edhe heshtjen e sinqertë

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Karib - Afërti. Emri El-Karib në Kur’an është cekur tri herë, si në ajetin:

وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِى عَنِّى فَإِنِّى قَرِيبٌ أُجِيبُ دَعْوَةَ ٱلدَّاعِ إِذَا دَعَانِ فَلْيَسْتَجِيبُوا لِى وَلْيُؤْمِنُوا بِى لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin ty për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë (të udhëzuar)”. (Bekare: 186)

Pastaj në ajetin:

وَإِلَىٰ ثَمُودَ أَخَاهُمْ صَٰلِحًا قَالَ يَٰقَوْمِ ٱعْبُدُوا ٱللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَٰهٍ غَيْرُهُۥ هُوَ أَنشَأَكُم مِّنَ ٱلْأَرْضِ وَٱسْتَعْمَرَكُمْ فِيهَا فَٱسْتَغْفِرُوهُ ثُمَّ تُوبُوٓا إِلَيْهِ إِنَّ رَبِّى قَرِيبٌ مُّجِيبٌ“Fisit Themud (Ne i dërguam) vëllanë e tij, Salihun. “O populli im”, - u tha ai - “adhuroni vetëm Allahun. Ju s’keni zot tjetër përveç Atij! Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të; andaj, kërkoni falje nga Ai dhe kthehuni me pendim tek Ai! Pa dyshim, Zoti im është i Afërt dhe u përgjigjet (lutjeve).” (Hud: 61)

Pastaj në ajetin:

قُلْ إِن ضَلَلْتُ فَإِنَّمَآ أَضِلُّ عَلَىٰ نَفْسِى وَإِنِ ٱهْتَدَيْتُ فَبِمَا يُوحِىٓ إِلَىَّ رَبِّىٓ إِنَّهُۥ سَمِيعٌ قَرِيبٌ“...Ai, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe është i Afër (ndaj atij që lutet)”. (Sebe: 50).

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Besimi dhe bindja se Allahu është afër njeriut, se është me të në çdo çast dhe çdo rast, e sheh, e dëgjon dhe e di çfarë vepron.

-Afërsia e Allahut në këtë rast ka për qëllim afërsinë ndaj robërve të Tij të devotshëm, të cilët e duan Atë dhe jetojnë me Të, me fjalën e Tij, edhe pse Allahu është me të gjithë njerëzit, por më afër është me robërit e Tij të devotshëm, që nënkupton se ndaj robërve të Tij të devotshëm ka një afërsi të veçantë në raport me njerëzit e tjerë. Këtë e vërtetojnë shumë argumente, ndër to hadithi kudsij i Ebu Hurejrës se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Allahu xh.sh. ka thënë: 

“...Nëse robi afrohet tek Unë një pëllëmbë, afrohem tek ai një bërryl (kut), po nëse afrohet tek Unë një bërryl (kut), afrohem tek ai një pash, po nëse vjen tek Unë duke ecur, shkoj shkoi tek ai duke vrapuar”.

Sa më afër Tij njeriu, aq më afër është Ai te robërit e Tij. Dallon afërsia dhe lidhshmëria e njeriut me Allahun ngase ka robër të cilët vërtet janë evlia dhe miq të Allahut me plot kuptimin e fjalës, si Pejgamberët, sidikinët (të drejtët) dhe salihinët (të mirët).

-Ndjenja e ngrohtësisë së njeriut kur e di sa afër e ka Allahun xh.sh. dhe se Ai është me të gjithnjë. Kjo e bën atë ta dojë më shumë Allahun, ta lusë më shumë, të shpresoj më shumë tek Ai, ta kujtojë më shumë. Të gjitha këto veç e veç janë adhurime shumë të larta dhe të dashura për Allahun, të cilat ia rrisin gradat njeriut tek Allahu xh.sh., aq më shumë nëse janë të gjitha.

-Njëherë shokët e Pejgamberit, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, përderisa ishin në udhëtim, thoshin tekbire me zë të lartë, por Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, u tha: “O ju njerëz, mos e ngarkoni veten tuaj, ju nuk jeni duke e lutur dikë që është i shurdhër e as që nuk është prezent, ju jeni duke e lutur atë që dëgjon, është afër dhe Ai është me ju”.

-Nevoja që njeriu të veprojë sa më shumë vepra të mira me të cilat afrohet më shumë tek Allahu dhe e ka Allahun më afër vetes. Kjo nënkupton që ai duhet të përpiqet në maksimum për të qenë sa më i devotshëm.