Emrat e Allahut

68

الْقَاهِارُ , القَهَّارُ

El-Kahiru, El-Kahhar

Mbizotëruesi, Sunduesi

Kategoritë

  • Fuqia
  • Madhështia

Gjithçka është nën pushtetin e Tij

El-Kahhar është Mbizotëruesi. Ai sundon mbi robërit e Tij dhe e mposht çdo kriminel me drejtësinë e Tij.

Ndër emrat e bukur të Allahut janë edhe emrat El-Kahiru - Mbizotëruesi dhe El-Kahhar - Sunduesi, Mbizotëruesi ndaj robërve të Tij, Sunduesi ndaj robërve të Tij, Mposhtësi, që mposht çdo kriminel dhe e shkatërron si në këtë jetë ashtu edhe në ahiret.

Emri El-Kahir është cekur dy herë në Kur’an, tek ajeti:

وَهُوَ ٱلْقَاهِرُ فَوْقَ عِبَادِهِۦ وَهُوَ ٱلْحَكِيمُ ٱلْخَبِيرُ“Ai është Mbizotërues ndaj robërve të Tij; Ai është i Urti dhe ka dijeni për gjithçka”. (Enam: 18)

Dhe tek ajeti:

وَهُوَ ٱلْقَاهِرُ فَوْقَ عِبَادِهِۦ وَيُرْسِلُ عَلَيْكُمْ حَفَظَةً حَتَّىٰٓ إِذَا جَآءَ أَحَدَكُمُ ٱلْمَوْتُ تَوَفَّتْهُ رُسُلُنَا وَهُمْ لَا يُفَرِّطُونَ“Ai është Mbizotëruesi (Sunduesi) mbi robërit e Vet. Ai ju dërgon rojtarë (engjëj), të cilët, kur ndonjërit nga ju i vjen vdekja, ia marrin shpirtin, duke mos bërë kurrfarë lëshimi”. (Enam: 61)

Ndërsa emri El-Kahhar është cekur gjashtë herë, si në ajetet: 

قُلْ مَن رَّبُّ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ قُلِ ٱللَّهُ قُلْ أَفَٱتَّخَذْتُم مِّن دُونِهِۦٓ أَوْلِيَآءَ لَا يَمْلِكُونَ لِأَنفُسِهِمْ نَفْعًا وَلَا ضَرًّا قُلْ هَلْ يَسْتَوِى ٱلْأَعْمَىٰ وَٱلْبَصِيرُ أَمْ هَلْ تَسْتَوِى ٱلظُّلُمَٰتُ وَٱلنُّورُ أَمْ جَعَلُوا لِلَّهِ شُرَكَآءَ خَلَقُوا كَخَلْقِهِۦ فَتَشَٰبَهَ ٱلْخَلْقُ عَلَيْهِمْ قُلِ ٱللَّهُ خَٰلِقُ كُلِّ شَىْءٍ وَهُوَ ٱلْوَٰحِدُ ٱلْقَهَّٰرُ“...Thuaj: Allahu është i vetmi Krijues i çdo gjëje; Ai është i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!” (Rread: 16)

يَوْمَ هُم بَٰرِزُونَ لَا يَخْفَىٰ عَلَى ٱللَّهِ مِنْهُمْ شَىْءٌ لِّمَنِ ٱلْمُلْكُ ٱلْيَوْمَ لِلَّهِ ٱلْوَٰحِدِ ٱلْقَهَّارِ“Për Ditën, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!” (Gafir: 16)

Kuptimi i emrit el-kahir dhe el-kahhar sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Taberiu për ajetin kur’anor:

وَهُوَ ٱلْقَاهِرُ فَوْقَ عِبَادِهِۦ وَهُوَ ٱلْحَكِيمُ ٱلْخَبِيرُ“Ai është Mbizotërues ndaj robërve të Tij; Ai është i Urti dhe ka dijeni për gjithçka”. (Enam: 18), ka thënë: “Allahu është El-Kahir, Mbizotërues ndaj robërve të Tij, i bën ata të nënshtruar ndaj Tij”.

Ibnu Kethiri ka thënë: “Atij i janë nënshtruar të gjithë, nën pushtetin e Tij janë edhe mizorët. Të gjitha krijesat janë të nënshtruara e të përulura para madhërisë së Tij, para pushtetit dhe fuqisë së Tij”

Hatabi ka thënë: “El-Kahhar është Ai të cilit i janë nënshtruar mizorët duke i ndëshkuar ata, ashtu siç i janë nënshtruar Atij të gjitha krijesat me vdekjen e tyre”.

Seadi ka thënë: “El-Kahhar, Mbizotëruesi ndaj gjithë kësaj gjithësie, botës së lartë dhe asaj të ulët, Mbizotërues ndaj çdo gjëje, çdo krijesë i është nënshtruar Atij, madhërisë së Tij, fuqisë së Tij, krenarisë së Tij

Nga frytet e besimit në këta dy emra të Allahut

-Nga këta dy emra kuptojmë se e gjithë gjithësia është nën pushtetin e Tij absolut, qoftë bota qiellore qoftë ajo tokësore, çdo gjë është në dorën e Tij, nën mbizotërimin e Tij, asgjë nuk del jashtë pushtetit të Tij, asnjë lëvizje sado e vogël qoftë.

-El-Kahir dhe El-Kahhar është vetëm Allahu xh.sh., Atij i takon adhurimi, tevhidi uluhije.

-Madhërimi dhe nënshtrimi ndaj Allahut xh.sh. bëhet me dëshirë dhe me vullnet, madje me kënaqësi.

-Frikë kemi vetëm prej Tij, prej askujt tjetër sepse sado që të tjerët janë të fort, prapëseprapë janë nën pushtetin absolut të Allahut, janë të nënshtruar nën pushtetin e Tij.

-Emri El-Kahhar është i veçantë për Allahun xh.sh. dhe nuk bën që askush të emërohet me të.