08
ٱلْأَوَّلُ
El-Evvelu
i Pari
Kategoritë
- Madhështia
- Krijimi
Çdo gjë nisi prej Tij!
El-Evvel është i Pari, pa fillim. Çdo e mirë që ke ka ardhur prej Tij, para se ti të vije në këtë botë.
Ndër emrat e bukur të Allahut të Madhëruar, me të cilët Allahu e ka përshkruar Vetën e Tij është edhe emri El-Evvelu duke e cekur vetëm një herë në Kur' an në një ajet, në suren Hadid, ku i madhi Allah xh.sh. thotë:
Në hadithin e Ebu Hurejres r.a. ka ardhur se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, i ka urdhëruar që kur të shtrihen për të fjetur, të shtrihen në krah të djathtë dhe të thonë:
”O Zot, Zoti i qiejve, Zot i tokës, Zot i Fronit (Arshit) të madh, Zoti ynë dhe Zoti i çdo gjëje, zbërthyes i farës dhe bërthamës (i bën ato të mugullojnë), ke zbritur Tevratin, Inxhilin dhe Furkanin (Kur'anin), kërkoj prej Teje të më ruash nga sherri i çdokujt, që Ti e ke në dorë (nga sherri i çdo krijese). O Zot, Ti je i Pari nuk ka asgjë para Teje, Ti je i Fundit, që s'ka pas Teje asgjë, (mbetesh gjallë pas shkatërrimit të krijesave), Ti je i Larti, nuk ka asgjë sipër Teje, Ti je më i Afërti, nuk ka asgjë më afër sesa Ti, na e laj borxhin dhe na pasuro nga varfëria!”
Në aspektin gjuhësor ky emër ka disa kuptime, si:
-I pari në kohë, thuhet: Hasani i pari, pastaj i dyti Sejdiu.
-I pari në pozitë, thuhet: Presidenti i pari, pastaj kryeministri, pastaj ministrat.
-I pari në sistemin e ndërtimit, thuhet: Themeli i shtëpisë së pari e pastaj muret.
Ndërsa sa i përket kuptimit për lartmadhërinë e Allahut xh.sh. është ashtu siç e ka cekur Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, në hadithin e lartpërmendur: “Ti je i Pari, nuk ka asgjë para Teje”.
Taberiu ka thënë në tefsirin e ajetit të lartpërmendur: “El-Evel, i Pari para çdo gjëje pa kufi ”.
Hatabi ka thënë: “El-Ev-vel, i Pari i çdo gjëje, Ai që ka ekzistuar para se të gjenden krijesat, ashtu që meriton të quhet i Pari, sepse ka qenë dhe nuk ka qenë askush para Tij e as me Të”.
Alusi thotë: “El-Ev-velu, i Pari para të gjitha krijesave të Tij, ashtu që Ai, subhanehu ve teala, ka qenë para çdo gjëje, madje edhe para kohës, sepse Ai xh.sh. i ka krijuar krijesat”.
Emri El-Evel tregon se çdo gjë tjetër pos Tij është e krijuar, ka ardhur apo është gjetur pasi nuk ka qenë më parë. Kjo duhet t’ia kujtojë njeriut dhe në të njëjtën kohë ia obligon atij që ta dijë se çdo e mirë, çdo begati e dhunti që e ka ai dhe mbarë krijesat është prej të Parit, El-Evel. Ai është shkaktar për çdo të mirë dhe Ai pronar i shkaktarëve që i sjellin të mira njeriut për dunja dhe për ahiret.
Dobi
Vlen të thuhet se disa dijetarë të disa fraksioneve të ndryshme e kanë quajtur Allahun me emrin i Vjetër - El-Kadim, por ky nuk është nga emrat e Tij, por duhet të quhet i Pari, sepse kur të thuash i vjetër, domethënë vjen dikush më pas i ri dhe e zëvendëson atë, ndërsa emri i Pari nuk e ka këtë kuptim që vjen dikush tjetër në vend të tij, por mbetet i pari. Shumë ulema të selefëve e kanë kundërshtuar që Allahu të quhet El-Kadim.
Sa i përket emrit El-Evelu - i Pari, njeriu duhet të kthehet te zanafilla e tij, nga erdhi, kush e solli, kush e krijoi, kush ia krijoi dhe ia parapërgatiti gjithë këto të mira para se të vinte ai në këtë dunja? Çfarë mundi dha njeriu për t’i krijuar këto begati e dhunti me të cilat kënaqet dhe jeton? Kush ia krijoi tokën dhe qiellin, hënën dhe diellin, ditën dhe natën, shtazët dhe shpezët, drithërat, pemët e perimet, ujin e bukën dhe gjithçka që shfrytëzon ai për interesin dhe dobinë e tij? Kush është Ai që ia lehtëson shkaqet për të punuar e për të jetuar?
Kur njeriu e kujton këtë emër të Allahut, El-Evel - i Pari, e kupton se kë ka Zot dhe sa i dobët është ai si njeri, sa i varfër është, sa nevojë ka për Të, për adhurimin e Tij, për t’u afruar tek Ai sepse çdo gjë e ka prej Tij dhe nga Ai, subhanehu ve teala.