Emrat e Allahut

83

ٱلْكَافِي

El-Kafi

Mjaftuesi

Kategoritë

  • Mbrojtja
  • Furnizimi

Kur ndihesh se nuk ke askënd, te Kush mund të mbështetesh?

El-Kafi është Ai që i mjafton çdo robi në çdo nevojë, mbrojtës dhe përkujdesës i përhershëm.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Kafi, Mjaftuesi, Ai që i mjafton njeriut, që nuk ka nevojë për tjetërkënd.

Ky emër i bukur është përmendur një herë në Kur’an, në ajetin:

أَلَيْسَ ٱللَّهُ بِكَافٍ عَبْدَهُۥ وَيُخَوِّفُونَكَ بِٱلَّذِينَ مِن دُونِهِۦ وَمَن يُضْلِلِ ٱللَّهُ فَمَا لَهُۥ مِنْ هَادٍ“A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?! Ata të frikësojnë ty (o Muhamed) me zota të tjerë, përveç Tij. Atë që Allahu e shpie në humbje, nuk mund ta udhëzojë kush”. (Zumer: 36) 

Ka ardhur edhe në formë të foljes, si në ajetin:

وَرَدَّ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا بِغَيْظِهِمْ لَمْ يَنَالُوا خَيْرًا وَكَفَى ٱللَّهُ ٱلْمُؤْمِنِينَ ٱلْقِتَالَ وَكَانَ ٱللَّهُ قَوِيًّا عَزِيزًا“Allahu i zmbrapsi ata që nuk besuan me atë mllefin e tyre, duke mos arritur kurrnjë të mirë. Dhe Allahu ua largoi luftën besimtarëve. Allahu është i Plotfuqishëm i Ngadhënjimtar”. (Ahzab: 25)

فَإِنْ ءَامَنُوا بِمِثْلِ مَآ ءَامَنتُم بِهِۦ فَقَدِ ٱهْتَدَوا وَّإِن تَوَلَّوْا فَإِنَّمَا هُمْ فِى شِقَاقٍ فَسَيَكْفِيكَهُمُ ٱللَّهُ وَهُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْعَلِيمُ“Nëse ata besojnë në atë që besoni edhe ju, atëherë janë në rrugën e drejtë. E, nëse ia kthejnë shpinën asaj, atëherë sigurisht që do të përçahen. Por Allahu të mjafton ty (Muhamed si mbrojtës) kundër atyre. Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi.” (Bekare: 137)

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

Nga komentet e ulemave rreth këtij emri të bukur të Allahut xh.sh. mund të përfitojmë shumë fryte, ndër të cilat veçojmë:

-Allahu xh.sh. është El-Kafi, Mjaftuesi, i cili u mjafton robërve të Tij për çdo gjë çfarë kanë nevojë ata, për mbijetesën e tyre, si për rizkun e tyre, për shëndetin e tyre etj..

-Allahu xh.sh. u mjafton robërve të Tij me mjaftueshmëri të përgjithshme, kifaje ammeh, që vlen për të gjitha krijesat e Tij, ashtu që Ai i krijon ato, i udhëzon në atë që kanë nevojë dhe ua lehtëson shkaqet e mbijetesës.

Mjaftueshmëri e veçantë, kifaje hassah, që është përkujdesja e Tij për robërit e Tij të veçantë, duke filluar nga Pejgamberët e deri te besimtarët e thjeshtë. Ai u mjafton besimtarëve që iu mbështetën Atij, siç ka thënë Allahu:وَيَرْزُقْهُ مِنْ حَيْثُ لَا يَحْتَسِبُ وَمَن يَتَوَكَّلْ عَلَى ٱللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُۥٓ إِنَّ ٱللَّهَ بَٰلِغُ أَمْرِهِۦ قَدْ جَعَلَ ٱللَّهُ لِكُلِّ شَىْءٍ قَدْرًا “...kush i mbështetët Allahut, Ai i mjafton atij...” (Talak: 3), që ka për qëllim, i mjafton atij në çështjet e dinit të tij dhe të dunjasë së tij.

-Emri El-Kafi është i afërt me kuptimin e emrit El-Hasib, Llogarimarrësi, i Mjaftueshmi, për të cilin kemi folur më lart.

-Njeriu për asnjë çast nuk mund të pavarësohet nga Allahu xh.sh., ai ka nevojë për ruajtjen e Tij, për përkujdesjen e Tij, për bereqetin e Tij, për suksesin e Tij, për mbrojtjen e Tij dhe për çdo gjë tjetër, ndaj ai duhet ta kërkojë atë ndihmë dhe mburojë nga Allahu xh.sh. e Allahu do t’i mjaftojë, siç ka ardhur në hadithin e Enes Bin Malikut r.a., se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: 

“Kur del njeriu nga shtëpia e tij dhe thotë: Bismilah, iu mbështeta Allahut, nuk ka fuqi e as mundësi pos me ndihmën e Allahut (Bismilah tevek-keltu ala Allah, la havle ve la kuv-vete il-la bil-lah), atëherë i thuhet atij: Je udhëzuar, mjaftuar e mbrojtur dhe largohen nga ai shejtanët...” 

-Ta lusim Allahun xh.sh. që të na mjaftojë në çdo gjë, Atij t’i mbështetemi në çdo punë të dunjasë e të ahiretit.