07
اَلاَحَدُ
El-Ehad
Një
Kategoria
- Madhështia
Vetëm Një meriton adhurim!
El-Ehad – Ai që s’ka të ngjashëm, i Vetmi Zot që zemra njeh si të vërtetë.
Emri El-Ehad, Një, ka kuptimin Një që nuk ka rival tjetër, që nuk ka rival në atë që krijon, në dirigjimin e Tij, nuk i ndihmon askush, nuk i përngjan Atij askush në asgjë dhe nuk meriton t’i përngjajë në asgjë, siç ka thënë Allahu xh.sh.
Ai është i vetëm me tevhidin rrububije, duke qenë i vetmi krijues, dirigjues, furnizues, mbikëqyrës, që jep jetë dhe vdekje etj., ashtu sikurse është i vetëm në tevhidin uluhije, duke qenë i vetmi Zot që meriton të adhurohet e të madhërohet, të falënderohet, të lutet, tek Ai shpresohet etj...
Allahu është Një, i Vetëm, nuk ngjan me askënd as në lartmadhërinë e Tij e as në cilësitë e Tij, prandaj kur është pyetur Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, nga disa paganë mekas se si është Zoti yt, a është nga ari, nga argjendi apo nga bronzi, Allahu i ka shpallur si përgjigje për ta suren Ihlas:
ٱللَّهُ ٱلصَّمَدُ
لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ
وَلَمْ يَكُن لَّهُۥ كُفُوًا أَحَدٌۢ
Kjo sure, e cila përmbledh cilësitë e përkryera të Allahut xh.sh. dhe emrat e Tij të bukur, konsiderohet ndër suret më të mëdha të Kur’anit, ndaj edhe ka ardhur në hadith se është një e treta e Kur’anit.
Zemra e besimtarit është e qetë, e lumtur, e mbushur me dritë qiellore, ecën në rrugë të drejt, e fiton rizkun në mënyrë hallall, vepron drejt dhe gjykon drejt, e di se çfarë ka caktuar për të Allahu, ajo ka për ta goditur dhe çfarë nuk ia ka caktuar, nuk ka për ta goditur. Ai e di se çdo gjë, madje edhe ndonjë e keqe apo dëm nëse e godet, është hair për të, madje e tërë jeta për të është hair, pasuria, varfëria, shëndeti e sëmundja, rinia e pleqëria deri te vdekja, krejt janë hair për të dhe në të mirë të tij.
Zemra e jobesimtarit kurrë nuk është e qetë, ngarkesat e telashet më të vogla e shqetësojnë, frika nga e ardhmja e dërrmon, droja se po i ikën të mirat që posedon e shkatërron. Ai endet si i hutuar në mes të errësirës së natës, si i humbur mes shkretëtirës jetën e kalon.
Emri El-Vahid dhe El-Ehad edhe pse i përngjajnë njëri-tjetrit dhe kanë një rrënjë, megjithatë kanë dallime mes tyre:
- Emri El-Vahid përdoret për të filluar numërimin, thuhet: vahidun, ithnani, thelathe... një, dy, tre.., ndërsa tek emri 'ehadun' ndërpritet numërimi, nuk ka të dytë pos tij, nuk thuhet: ehadun, ithani, thelathe... një, dy, tre...
- Emri ehadun është më i përgjithshëm në mohim sesa emri vahidun, sepse kur thua: Nuk ka në shtëpi vahidun, mund të kuptohet se nuk është në shtëpi një njeri, por janë dy e më shume. Ndërsa kur thua: Nuk ka në shtëpi ehadun, atëherë jep të kuptohet se asnjë njeri nuk është në shtëpi.
Emri El-Vahid është i vetëm, nuk ka rival, ndërsa 'Ehad' është i pashembullt me askënd, nuk i përngjan askujt dhe askush Atij.
Frytet e imanit në këta dy emra
Gjurma më e madhe e besimit në këta dy emra është veçimi i Allahut, subhanehu ve teala, me teuhid rububije, me teuhid uluhije dhe me teuhid el-esma dhe es-sifat.
Allahu është i vetëm në krijim, në furnizim, në dhënien e jetës dhe vdekjes se çdo krijesë dhe cilësi të tjera të teuhidit rububije. Po ashtu është dhe i vetëm në të qenët e Tij një Zot, nuk ka zot tjetër pos Tij, i Vetmi që meriton adhurim, nënshtrim, përulje dhe lloje të tjera të adhurimit, që përbejnë teuhidin uluhije. Allahu nuk ka fëmije, nuk ka bashkëshorte e as që meriton të ketë, subhanallah, siç ka thënë Allahu për lartmadhërinë e Tij:
Ata që thonë se Allahu ka rival, ka bashkëshorte apo ka fëmijë, kanë shpifur ndaj Tij. Allahu në mënyrë kategorike e mohon një gjë të tillë, emri Ehad e ngërthen këtë kuptim, surja El-Ihlas e ngërthen këtë kuptim dhe i tërë Kurani, nga fillimi deri në fund, madje edhe logjika e shëndoshë dhe natyrshmëria e njeriut nuk mund të pranojë që Allahu të ketë nevojë për ndonjë rival apo anëtar familjeje.
Po ashtu është i veçantë edhe me emrat e Tij të përkryer dhe me cilësitë e Tij të larta, si: dëgjimi, shikimi, krijimi, vullneti, dëshira, dashuria, urrejtja dhe emra e cilësi të tjera të teuhidit el-esma dhe es-sifat.
Njeriu lidhet me Allahun, e do Atë, i lutet Atij, shpreson tek Ai, ia ka frikën Atij, nuk ia ka frikën askujt pos Atij, nuk e do askënd më shumë sesa Atë, nuk bën asnjë veper që e hidhëron Atë, mundohet në maksimum ta fitojë kënaqësinë e Tij, subhanehu ve teala. Kështu jeton me Allahun dhe për Allahun, nuk e brengosin dhe nuk e shqetësojnë telashet dhe problemet e dunjasë, nuk e merr dunjanë shtëpi ‘të perhershme’, por punon për shtëpinë e përhershme, te cilën ia ka premtuar Zoti në botën tjetër.
A ka ngjashmëri mes një muslimani të tillë me këtë bindje dhe mes një jobesimtari, i cili në fakt as nuk e di përse jeton, çdo gjë e frikëson dhe e streson. Kur ai mendon për vdekjen, i ngushtohen venat e gjakut, e kap stresi e ankthi, nuk di fare të veprojë, ku të ankohet e çka të bëjë! Me çdo gjë ai mundohet që ta largojë mendjën nga vdekja.