84
الجَمِيلُ
El-Xhemil
I Bukuri
Kategoria
- Bukuria
Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën
El-Xhemil është i Bukuri në çdo emër, vepër e cilësi — nga Ai buron çdo formë bukurie.
Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Xhemili, I Bukuri, Ky emër nuk ka ardhur në Kur’an, por ka ardhur në Sunet, në hadithin e Abdullah Bin Mesudit r.a., se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sellem, ka thënë:
“Nuk do hyjë në xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie”. Një njeri (i pranishëm) tha: “Njeriu ka dëshirë që të jetë rroba e tij e bukur, këpuca e tij e bukur”. (Pejgamberi alejhi selam) tha: “Vërtet Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën, por mendjemadhësia është mohimi i së vërtetës (hakut) dhe nënçmimi i njerëzve.”
Kuptimi i emrit el-xhemil sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.
Hatabi ka thënë: “El-Xhemil është Zbukuruesi, Bamirësi, e mund të jetë me kuptimin i Ndrituri (me nur) ”.
Ibnu Kajimi në nunijen e tij e ka cekur këtë emër të Allahut e mes të tjerash ka thënë: “Ai është El-Xhemilu (i Bukuri), e si jo, kurse bukuria e këtij universi është pjesë e gjurmëve të të Bukurit (El-Xhemil)... ”
Ibnu Kajimi kur flet për bukurinë e Allahut xh.sh. mes të tjerash thotë: “Njëra nga llojet e njohjes së Allahut xh.sh. është edhe njohja e Tij nëpërmjet bukurisë së Tij, subhaehu ve teala, ajo është njohja e njerëzve më të veçantë. Secili e njeh Allahun nëpërmjet ndonjë cilësie të Tij, por ata që e njohin më së miri Atë janë ata që e njohin nëpërmjet përkyerjes së Tij, madhërisë së Tij dhe bukurisë së Tij, nuk ka cilësi si cilësia e bukurisë së Tij. Mjafton nga bukuria e Tij që sikur ta kishte hequr perden nga Fytyra e Tij, do t’i digjte krejt çfarë përfshin të shikuarit e Tij nga krijesat e Tij. Mjafton nga bukuria e Tij që çdo bukuri e dukshme apo e padukshme në dunja dhe në ahiret është nga gjurmët e krijimit të Tij, e nëse është ashtu, atëherë çfarë mendon për Atë nga del kjo bukuri?
Bukuria e Tij është në katër shkallë: bukuria e lartmadhërisë së Tij, bukuria e cilësive të Tij, bukuria e veprave të Tij dhe bukuria e emrave të Tij. Emrat e Tij të gjithë janë të bukur, cilësitë e Tij të gjitha janë të përkryera, veprat e Tij të gjitha janë të përsosura, të urta, të drejta e të mëshirshme, ndërsa bukurinë e lartmadhërisë së Tij e di vetëm Ai, ndërsa krijesat e Tij nuk kanë njohuri për bukurinë e Tij, me përjashtim të atyre që i ka nderuar nga robërit e Tij, aq sa i ka njoftuar Ai... Njeriu vazhdon të ngrihet në njohjen e veprave të Allahut drejt njohjes së cilësive të Tij, e pastaj nga njohja e cilësive të Tij drejt njohjes së lartmadhërisë së Tij. Nëse ai sheh diçka nga bukuria e veprave të Tij, me to argumenton për bukurinë e cilësive të Tij e më pas argumenton me bukurinë e cilësive të Tij për bukurinë e lartmadhërisë së Tij... ”
Po ashtu Ai është El-Xhemil, i Bukur në emrat e Tij, ngase emrat e Tij të gjithë janë të bukur, madje janë emrat më të bukur të mundshëm, siç ka thënë Allahu:
Që të gjithë emrat e Tij tregojnë për skajshmërinë e falënderimit, lavdërimit, përkryerjes...
Po ashtu Ai është El-Xhemil në cilësitë e Tij, ngase të gjitha cilësitë e Tij janë cilësi të përkryera, janë cilësi të lavdërimit e falënderimit, që janë cilësitë më të gjera, më të përgjithshme dhe që më së shumti kanë lidhje me krijesat, në veçanti cilësia e mëshirës, mirëbërjes, fisnikërisë e bujarisë.
Po ashtu veprat e Tij të gjitha janë të bukura, ngase ato sillen mes veprave të mirësisë e mirëbërjes për të cilat falënderohet e lavdërohet dhe mes veprave të drejtësisë për të cilat gjithashtu falënderohet sepse ato përkojnë me urtësinë dhe falënderimin, ndaj nuk ka diçka në veprat e Tij që është e kotë, pa pjekuri e pa drejtësi, por të gjitha janë hair, udhëzim, mëshirë e frymëzim ”.
Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.
-Vërtetësia e cilësisë së bukurisë për lartmadhërinë e Tij, subhanehu ve teala.
-Vërtetësia e bukurisë në emrat e Tij, subhanehu ve teala.
-Vërtetësia e bukurisë në veprat e Tij, subhanehu ve teala. Natyrisht në atë formë që i përket lartmadhërisë së Tij pa hyrë në detaje se si dhe pa sjellë ndonjë ngjashmëri me Të, siç ka thënë Allahu për Veten e Tij:
-Allahu është i Bukur, prej Tij vjen bukuria, krijesat e Tij janë të bukura, çdo bukuri e kësaj dunjaje dhe tjetrës është fryt i bukurisë së Allahut xh.sh., është vepër e Allahut xh.sh..
-Allahu e do të bukurën, e do të bukurën e brendshme dhe të jashtme, do që njeriu ta ketë zemrën e bukur, gjymtyrët e bukura, trupin dhe rrobat e bukura, të jetojë bukur, të mendojë e të veprojë bukur, t’ua dojë të tjerëve të bukurën për faktin se “...vërtet Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën...”,
siç u cek në hadith më lart.
-Dashuria ndaj të Bukurit, El-Xhemil, i cili vërtet është i bukur në Veten e Tij, në emrat dhe cilësitë e Tij, në veprat e Tij.
-Fjala më e bukur është fjala e Tij, vepra më e bukur është vepra e Tij.
-Pajtimi me atë që cakton dhe zgjedh për ne i Bukuri, El-Xhemil, sepse Ai për ne zgjedh vetëm atë që është më e mira dhe më e bukura, më e urta, më e hairit, ngase nga i Bukuri vjen vetëm e bukura, e mira, e hairit, e urta etj..
-Përmallimi e mallëngjimi për ta takuar e për ta parë të Bukurin, El-Xhemil, që është kënaqësia më e madhe që do të përjtojnë banorët e xhenetit. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, lutej shpesh për këtë dhe mes të tjerash thoshte: “...kërkoj që të ma mundësosh shikimin e Fytyrës Sate dhe përmallimin për takimin Tënd...”
Allahu na mundësoftë që të përmallohemi shumë për Allahun xh.sh., më shumë se për çdokënd tjetër, na mundësoftë që të përgatitemi për takimin me Të, na e mundësoftë shikimin në Fytyrën e ndritur të Tij, ja rabelalemin, amin!