Emrat e Allahut

14

السَّلاَمُ

Es-Selamu

Paqedhënësi

Kategoritë

  • Mbrojtja
  • Mëshira
  • Bukuria

Ku e gjen paqen kur brenga nuk të lë të qetë?

Es-Selam është Paqedhënësi. Shpëtimi dhe qetësia e vërtetë gjenden vetëm tek Ai.

Ndër emrat e bukur të Allahut me të cilët Allahu e ka emërtuar lartmadhërinë e Tij është edhe emri Es-Selamu, Paqedhënsi - Ai jep paqe dhe qetësi, vetëm tek Ai është shpëtimi. Ky emër i bukur është cekur një herë në Kur’an, në suren El-Hashr:

هُوَ ٱللَّهُ ٱلَّذِى لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْمَلِكُ ٱلْقُدُّوسُ ٱلسَّلَٰمُ ٱلْمُؤْمِنُ ٱلْمُهَيْمِنُ ٱلْعَزِيزُ ٱلْجَبَّارُ ٱلْمُتَكَبِّرُ سُبْحَٰنَ ٱللَّهِ عَمَّا يُشْرِكُونَ“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Pastri (nga çdo e metë), Paqedhënësi...” (Hashr: 23)

Kuptimi gjuhësor i emrit es-selamu

Kuptimi i fjalës selam në aspektin gjuhësor rrjedh prej foljes selime jeslemu selamen ve selameten. Thuhet selime min el-afati, që do të thotë ka shpëtuar, është larg ndonjë të lige, është i shëndoshë nga ato mangësi e të meta.

Folja selime ka kuptimin e përshëndet dikë. Thuhet selemtu ala elkavm, u dhashë selam njerëzve, i përshëndeta ata. Nga kjo folje rrjedh edhe paskajorja es-silmu, që është e kundërta e luftës, domethënë paqja, armëpushimi, marrëveshja mes dy grupeve që janë në luftë, sepse që të dy dëshirojnë paqe.

-Thuhet që es-selamu është ai nga i cili janë të qetë e të sigurt të tjerët prej zullumit të tij.

-Thuhet se es-selamu, që është përshëndetje e muslimanëve, kuptimin e ka paqe, siguri. Ndaj kur i jep tjetrit selam, sikur i thua: Ti je i sigurt nga çdo e ligë e imja, nuk të bëj keq, nuk të bëj sherr.

Nga ky kuptim është fjala e Allahut:

فَأْتِيَاهُ فَقُولَآ إِنَّا رَسُولَا رَبِّكَ فَأَرْسِلْ مَعَنَا بَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ وَلَا تُعَذِّبْهُمْ قَدْ جِئْنَٰكَ بِـَٔايَةٍ مِّن رَّبِّكَ وَٱلسَّلَٰمُ عَلَىٰ مَنِ ٱتَّبَعَ ٱلْهُدَىٰٓ“...Paqe mbi atë që ndjek rrugën e drejtë!” (Ta-ha: 47)

Ka paqe e siguri për atë që pason udhëzimin e Allahut, ai nuk do jetë i sigurt nga dënimi i Allahut dhe hidhërimi i Tij.

Kuptimi i emrit es-selamu sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Ndërsa sa i përket kuptimit të këtij emri në raport me Allahun xh.sh., është si ka thënë Bejhakiu: “Es-Selamu është ai që nuk ka të meta, i pastër nga çdo e metë, nuk ka asnjë të ligë. Këtë cilësi e meriton lartmadhëria e Tij. Thuhet: Është shpëtimi i besimtarëve nga dënimi i Tij.

Ibnu Kethiri ka thënë: “Es-Selamu - i Pastri nga të gjitha të metat dhe mangësitë për faktin se Ai është i përkryer, i plotë me lartmadhërinë e Tij, në cilësitë e Tij dhe në emrat e Tij”.

*Ky emër së bashku me emrin El-Kud-dus janë nga emrat të cilët tregojnë shenjtërinë dhe zhveshjen e Allahut nga çdo mangësi e të metë që ia mveshin jobesimtarët, siç edhe e kemi cekur më lart kur kemi folur për klasifikimin e emrave të Allahut xh.sh. për nga kuptimi.

Seadi ka thënë: “El-Kud-dus dhe Es-Selamu mohojnë çdo mangësi nga të gjitha format, ashtu sikurse kanë kuptimin e të qenurit (të Allahut) i përkryer në çdo gjë, sepse kur shmanget mangësia, atëherë vjen përkryerja e plotë”.

Ky emër përfshin si vijon:

-Allahu është i pastër nga ajo që i veshin jobesimtarët, se Ai ka pasur grua apo fëmijë. Allahu nuk ka as rival e as ortak, nuk ka diçka që i përngjet lartmadhërisë së Tij.

-Allahu është i pastër nga çdo e metë, si gënjeshtra, zullumi, padrejtësia, thyerja e amanetit etj..

-Allahu është i pastër nga të dënuarit e krijesave të Tij pa e merituar ata apo që t’u bëjë padrejtësi.

-Emri i Allahut është Selam - Paqe, siguri, Ai jep selam - paqe e siguri, prej Tij rrjedh selami, paqja, siguria e shpëtimi. Ky është kuptimi i hadithit të Pejgamberit, sal-Allahu alejhi ve sel-lem: “Zoti ynë, Ti je Paqedhënësi (Es-Selam), prej Teje është paqja, (selami), i lartësuar qofsh (ja dhel xhelali ve el ikram) o Ti që je i madhëruar dhe i nderuar” Këtë hadith ne e themi pas çdo namazi.

-Nga emri i Tij (Es-Selam) është nxjerrë emri Islam dhe feja islame, që është dini i vetëm i Allahut siç ka thënë Allahu:

إِنَّ ٱلدِّينَ عِندَ ٱللَّهِ ٱلْإِسْلَٰمُ وَمَا ٱخْتَلَفَ ٱلَّذِينَ أُوتُوا ٱلْكِتَٰبَ إِلَّا مِنۢ بَعْدِ مَا جَآءَهُمُ ٱلْعِلْمُ بَغْيًۢا بَيْنَهُمْ وَمَن يَكْفُرْ بِـَٔايَٰتِ ٱللَّهِ فَإِنَّ ٱللَّهَ سَرِيعُ ٱلْحِسَابِ“Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami...” (Ali Imran: 19)

-Ai siguron, shpëton e qetëson robërit e Tij të devotshëm në dunja dhe në ahiret, siç ka thënë Allahu:

قُلِ ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ وَسَلَٰمٌ عَلَىٰ عِبَادِهِ ٱلَّذِينَ ٱصْطَفَىٰٓ ءَآللَّهُ خَيْرٌ أَمَّا يُشْرِكُونَ“Thuaj (o Muhamed: el-hamdulilah) “Lëvduar e falënderuar qoftë Allahu dhe shpëtimi qoftë për robërit e Tij të zgjedhur...” (Neml: 59)

-Melaiket i presin xhenetlinjtë te dera e xhenetit duke u urdhëruar mirëseardhjen dhe duke i përshëndetur me selam alejkum, duke i siguruar se tashmë do jeni të shpëtuar, të qetë e të siguruar:

وَسِيقَ ٱلَّذِينَ ٱتَّقَوْا رَبَّهُمْ إِلَى ٱلْجَنَّةِ زُمَرًا حَتَّىٰٓ إِذَا جَآءُوهَا وَفُتِحَتْ أَبْوَٰبُهَا وَقَالَ لَهُمْ خَزَنَتُهَا سَلَٰمٌ عَلَيْكُمْ طِبْتُمْ فَٱدْخُلُوهَا خَٰلِدِينَ“(u thuhet atyre: Selamun alejkum) Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!” (Zumer: 73)

-Ne muslimanët e besojmë Paqedhënësin, besojmë se prej Tij vjen paqja, se njëri nga emrat e Tij është Paqedhënës -Es-selam, se feja e Tij është es-selam, paqe, përshëndetja e muslimanëve është paqe - es- selamu alejkum, prandaj ne jemi të urdhëruar që ta përhapim sa më shumë këtë paqe, selamin.

-Ta besojmë këtë selam, të punojmë me këtë selam dhe ta përhapim te të tjerët me fjalë e me vepra sa më shumë këtë selam.