Emrat e Allahut

31

المَوْلَى

El-Mevla

Ndihmëtari

Kategoria

  • Mbrojtja

Ai që s’të lë vetëm kurrë

El-Mevla është Ndihmëtari yt i vërtetë — Ai që të mbron, të udhëzon dhe të jep forcë në çdo vështirësi.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Mevla - Ndihmëtari.

Emri El-Mevla në Kur'an është përmendur disa herë, si në ajetin:

وَجَٰهِدُوا فِى ٱللَّهِ حَقَّ جِهَادِهِۦ هُوَ ٱجْتَبَىٰكُمْ وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِى ٱلدِّينِ مِنْ حَرَجٍ مِّلَّةَ أَبِيكُمْ إِبْرَٰهِيمَ هُوَ سَمَّىٰكُمُ ٱلْمُسْلِمِينَ مِن قَبْلُ وَفِى هَٰذَا لِيَكُونَ ٱلرَّسُولُ شَهِيدًا عَلَيْكُمْ وَتَكُونُوا شُهَدَآءَ عَلَى ٱلنَّاسِ فَأَقِيمُوا ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتُوا ٱلزَّكَوٰةَ وَٱعْتَصِمُوا بِٱللَّهِ هُوَ مَوْلَىٰكُمْ فَنِعْمَ ٱلْمَوْلَىٰ وَنِعْمَ ٱلنَّصِيرُ“...Ai është Ndihmëtari (Mbrojtësi) juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmëtarë i mrekullueshëm është Ai“ (Haxh: 78)

Kuptimi gjuhësor i emrit el-mevla

Kuptimi i emrit el-mevla është shok, fqinj, i afërm, i dashur, mik, aleat etj.. Mevla i thuhet edhe Allahut xh.sh., i thuhet edhe zotërisë, i thuhet edhe atij që të bën mirë diçka.

Kuptimi i emrit el-mevla sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

El-Mevla është ai tek i cili strehohen dhe mbështeten ata që e njohin Allahun, që janë besimtarët. Ata i mbështeten Atij dhe kërkojnë nga Ai që t’i mbrojë në vështirësi dhe siklet, t’i ruajë nga çdo e ligë në çdo situatë, të lehtë e të rëndë.

Në fakt, Allahu është Mbikëqyrës dhe ndihmues i të gjithëve sepse krijesat nuk kanë Zot tjetër dhe pa ndihmën e Tij asgjë s’mund të bëjnë, por është Mbikëqyrës i veçantë i besimtarëve të cilët e kanë besuar Allahun hak dhe i janë përkushtuar fesë së Tij, i do ata, i ruan ata, u jep sukses atyre, i forcon ata në këtë dunja dhe i shpëton në ahiret, siç ka thënë Allahu xh.sh.:

ذَٰلِكَ بِأَنَّ ٱللَّهَ مَوْلَى ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا وَأَنَّ ٱلْكَٰفِرِينَ لَا مَوْلَىٰ لَهُمْ“Kjo për shkak se Allahu është Mbrojtës (Mevla) i atyre që besojnë, kurse për mohuesit nuk ka mbrojtës”. (Muhamed: 11)

Taberiu ka thënë për ajetin
لَا يُكَلِّفُ ٱللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا لَهَا مَا كَسَبَتْ وَعَلَيْهَا مَا ٱكْتَسَبَتْ رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذْنَآ إِن نَّسِينَآ أَوْ أَخْطَأْنَا رَبَّنَا وَلَا تَحْمِلْ عَلَيْنَآ إِصْرًا كَمَا حَمَلْتَهُۥ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِنَا رَبَّنَا وَلَا تُحَمِّلْنَا مَا لَا طَاقَةَ لَنَا بِهِۦ وَٱعْفُ عَنَّا وَٱغْفِرْ لَنَا وَٱرْحَمْنَآ أَنتَ مَوْلَىٰنَا فَٱنصُرْنَا عَلَى ٱلْقَوْمِ ٱلْكَٰفِرِينَ“...Ti je Mbrojtësi (Velijuna) ynë, na ndihmo kundër popullit jobesimtar!” (Bekare: 286), se “Ti je Mbrojtësi ynë që na mbron e nuk je Mbrojtës i atyre që të kundërshtojnë dhe mohojnë Ty. Ne jemi besimtarë, të dëgjojmë në atë që na ke urdhëruar Ti dhe në atë që na ke ndaluar Ti. Ti je Mbikëqyrës (velij) i atij që të dëgjon Ty dhe armik i atij që të mohon dhe të bën mëkate Ty, ndaj na ngadhënje ne sepse ne jemi partia Jote kundër popullit jobesimtar, që e kanë mohuar tevhidin Tënd dhe kanë adhuruar idhuj e statuja përpos Teje, kanë dëgjuar shejtanin për të bërë Ty mëkat”.

Hatabi ka thënë: “El-Mevla është Ngadhënjimtari, Ndihmëtari.

El-Halimij ka thënë: “El-Mevla është ai tek i cili shpresohet për ngadhënjim dhe ndihmë, sepse Ai është i Pushtetmbajtës (El-Malik), e nuk ka kush që mund ta ndihmojë atë që është i sunduar pos Sunduesit (Pushtetmbajtësit) të tij.

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh

-Allahu është Veliu, Kujdestari, Mbikëqyrësi i atyre që kanë besuar Allahun, Ai i ndihmon ata, i ruan ata, u mjafton atyre, ua dëgjon lutjet dhe kërkesat, është afër tyre, është me ta.

-Përkujdesja për ta fituar miqësinë, mbikëqyrjen dhe përkujdesien e Allahut xh.sh., respektivisht përpjekja për t'u bërë nga evliate e Allahut, nga miqtë e Tij të veçantë sepse të gjithë besimtarët janë evlia, miq të Allahut, por prapë dallojnë mes tyre në shkallët e kësaj miqësie sepse ajo shkon sipas imanit, sipas lidhjes së tyre me Allahun xh.sh..

Evliatë më të afërt e më të veçantë tek Allahu janë Pejgamberët, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre dhe kështu me radhë. Ata janë evlia të veçantë, ndërsa besimtarët e rëndomtë janë evlia të rëndomtë sipas imanit të tyre, devotshmërisë së tyre.

-Allahu evliatë e Tij nuk i humb asnjëherë, nuk i zhgënjen. Ai i ruan dhe përkujdeset për ta në dunja dhe në ahiret, siç ka thënë Allahu xh.sh.:

لَهُمْ دَارُ ٱلسَّلَٰمِ عِندَ رَبِّهِمْ وَهُوَ وَلِيُّهُم بِمَا كَانُوا يَعْمَلُونَ“Ata do të kenë Shtëpinë e shpëtimit (xhenetin) te Zoti i tyre. Ai do të jetë Mbrojtësi i tyre, si shpërblim për veprat që kanë bërë“. (Enam: 127)

Allahu na forcoftë në këtë din, na forcoftë lidhjen me Të, qoftë Ai veliu ynë dhe i evliave të Tij të devotshëm me përkujdesjen dhe mbikëqyrjen e Tij në këtë dunja dhe në ahiret, amin!