Emrat e Allahut

04

الْحَيُّ

El-Hajj

I Gjalli, I Përjetshmi

Kategoria

  • Madhështia

Kush mbetet gjallë kur çdo krijesë vdes?

El-Hajj është i Gjalli pa fillim e pa fund.

Kuptimi i këtij emri në aspektin gjuhësor është jetë, gjallëri, e cila është e kundërta e vdekjes .

Ndërsa sa i përket madhërisë së Allahut, kuptimi i këtij emri do të thotë: Allahu xh.sh. është i Gjallë, ka jetë, është i Përhershëm, nuk ka vdekje e as shkatërrim, i Përjetshëm, i Pafillim dhe i Pambarim. Jeta dhe gjallëria e Tij është absolute dhe pa të meta.

Imam Taberiu ka thënë: “El-Haj-ju është Ai që nuk vdes, nuk shkatërrohet, ashtu si vdes çdokush tjetër që është konsideruar zot dhe shkatërrohet çdokush që pretendon pos Tij se ka zot. Kush vdes, harxhohet e shkatërrohet, nuk mund të jetë zot që adhurohet pos Allahut, i Cili nuk vdes e as nuk shkatërrohet. Allahu i vërtetë është i Përhershëm, i Përjetshëm, nuk vdes, nuk plaket, nuk shkatërrohet, Ai është Allahu, që nuk ka Zot tjetër pos Tij”.

Zemahsheriu ka thënë: “El-Haj-ju është i Përhershmi, i cili nuk shkatërrohet”.

Emri El-Haj-j, i Gjallë, vërteton cilësinë e jetës së Allahut, sifetun dhatije, se Ai ka jetë të plotë, pa fillim dhe pa mbarim, jetë së cilës nuk i përket asnjë mangësi e dobësi, jetë e cila ngërthen edhe cilësi të tjera të përkryera, si dëgjimi, shikimi, dija, fuqia, vullneti, mëshira, të vepruarit çfarë të dojë dhe cilësi të tjera të përkryera. Kjo jetë nuk vjetrohet e as nuk harxhohet, nuk varet nga faktorë të tjerë siç varet jeta e krijesave.

Kush e ka këtë jetë është i denjë për adhurim, për madhërim, për lutje dhe kështu me radhë, siç ka thënë Allahu xh.sh.:

وَتَوَكَّلْ عَلَى ٱلْحَىِّ ٱلَّذِى لَا يَمُوتُ وَسَبِّحْ بِحَمْدِهِۦ وَكَفَىٰ بِهِۦ بِذُنُوبِ عِبَادِهِۦ خَبِيرًا“Mbështetu në të Gjallin, të Përjetshmin, i Cili nuk vdes...” (Furkan: 58)

Mbështetju Atij që është i Gjallë, i Përjetshëm, jo atij që nuk ka jetë e pastaj ka jetë, që është i gjallë por që nuk është i përhershëm, që është i mangët dhe pastaj plotësohet me cilësi, se ato cilësi plaken e vjetrohen dhe më në fund harxhohen. Mos iu mbështet atij që i ngurtë, si idhujt e statujat, ato nuk meritojnë t’u nënshtrohesh dhe nuk meritojnë asnjë lloj adhurimi.

Frytet e imanit në këtë emër

Ndër frytet e imanit të këtij emri të bekuar veçojmë:

-Allahu është i Gjallë, me jetë të plotë, të përhershme, ndërsa të gjitha krijesat vdesin, harxhohen, shkatërrohen, pavarësisht a janë të gjalla apo të ngurta, siç ka thënë Allahu xh.sh.:

كُلُّ مَنْ عَلَيْهَا فَانٍ
وَيَبْقَىٰ وَجْهُ رَبِّكَ ذُو ٱلْجَلَٰلِ وَٱلْإِكْرَامِ
“Çdo gjë që është në tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim”. (Err-Rrahman: 26-27)

-Jeta e Tij nuk i ngjan aspak jetës së krijesave të Tij, pasi ajo jetë nuk ndryshon, nuk plaket e nuk harxhohet, Ai nuk fle e nuk kotet, as nuk vjetrohet as nuk lodhet, siç thuhet në sures Bekare në ajetin Kursij: 

ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْحَىُّ ٱلْقَيُّومُ لَا تَأْخُذُهُۥ سِنَةٌ وَلَا نَوْمٌ لَّهُۥ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ مَن ذَا ٱلَّذِى يَشْفَعُ عِندَهُۥٓ إِلَّا بِإِذْنِهِۦ يَعْلَمُ مَا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَمَا خَلْفَهُمْ وَلَا يُحِيطُونَ بِشَىْءٍ مِّنْ عِلْمِهِۦٓ إِلَّا بِمَا شَآءَ وَسِعَ كُرْسِيُّهُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ وَلَا يَـُٔودُهُۥ حِفْظُهُمَا وَهُوَ ٱلْعَلِىُّ ٱلْعَظِيمُ“...Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi!....” (Bekare: 255).

Në hadithin e Pejgamberit, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, thuhet:

“Allahu nuk fle dhe nuk i përket (nuk është cilësi e lartmadhërisë së Tij) të flejë...”

-Kur njeriu e kupton se i gjallë me jetë të përkryer është vetëm Allahu dhe se çdo kush tjetër ka jetë të mangët, jetë e cila ka fillim dhe ka mbarim, e kupton se çdo gjë duhet të përfundojë, se çdo krijesë do të vdesë, madje edhe vetë ai si njeri, kur i vdes dikush, kur humb ndonjë të afërm ose të dashur, e ka parasysh këtë dhe thotë se i vetmi që nuk vdes është Allahu, ndërsa njerëzit duhet të vdesin, çdokush që ka lindur ka për të vdekur, nuk ka jetë përgjithmonë, jetë përgjithmonë ka vetëm Allahu, Ai ka jetë të vërtetë, të tjerët duhet të vdesin, prandaj bën sabër dhe e përballon më lehtë këtë sprovë.

-Allahu xh.sh. në botën tjetër u jep jetë të përhershme banorëve të xhenetit, jetë e cila nuk njeh plakje, lodhje dëshpërim e shkatërrim, siç ka thënë Allahu xh.sh.:

وَمَا هَٰذِهِ ٱلْحَيَوٰةُ ٱلدُّنْيَآ إِلَّا لَهْوٌ وَلَعِبٌ وَإِنَّ ٱلدَّارَ ٱلْـَٔاخِرَةَ لَهِىَ ٱلْحَيَوَانُ لَوْ كَانُوا يَعْلَمُونَ“...Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë...”(El-Ankebut: 64)

Jeta e banorëve të xhenetit është vërtet jetë e plotë, e përhershme me të gjitha të mirat, jetë së cilës ia jep këto cilësi i madhi Zot xh.sh., prandaj jeta e njerëzve është jetë që u përket krijesave, ndërsa jeta e Allahut është jetë që i përket Krijuesit, ashtu sikurse edhe cilësitë e tjera të Tij që i përkasin madhërisë së Tij, subhanehu ve teala.

El-Haj-ju dhe El-Kaj-jum së bashku

Këta dy emra të bukur të Allahut së bashku janë përmbledhës dhe përfshirës të kuptimit të emrave të bukur të Allahut, rreth tyre sillen emrat e bukur të Allahut. Të gjitha cilësitë, sifatet, e Allahut kthehen të këta dy emra.

Emri El-Haj-ju, i Gjalli, i Përhershmi, përmbledh cilësitë që kanë të bëjnë me qenien e Allahut, sifat dhatije, cilësi personale. Cilësitë personale të Allahut, ef'al dhatije, si: dëgjimi, dija, dora e Tij e të tjera, të gjitha këto kthehen tek emri i Tij, El-Haj-ju, i Gjalli.

Ndërsa emri tjetër, El-Kaj-jum - Mbajtësi i gjithçkaje, përmbledh cilësitë e veprimit. Cilësitë e Tij vepruese, ef'al fialije, si: krijimi, furnizim apo rizku, ngjallja dhe vdekja e krijesave dhe cilësi të tjera të ngjashme kthehen tek emri i Tij El-Kaj-jum - Mbajtësi i gjithçkaje.

Shejh Seadi për këta dy emra ka thënë: “El-Haj-ju është përmbledhës i cilësive personale, sifat dhatije, të Allahut, ndërsa emri El-Kaj-jum është përmbledhës i cilësive vepruese, sifat falije, të Allahut.

Nisur nga kjo disa dijetarë janë të mendimit se këta dy emra përbëjnë emrin më të madh të Allahut, me të cilin nëse lutet, përgjigjet dhe nëse i kërkohet diçka, jep. Ata dijetare janë bazuar në disa hadithe në të cilat është përmendur emri më i madh i Allahut dhe aty kanë qenë këta dy emra, ndër to hadithi i Enes Bin Malikut r.a., që e kemi cekur më larte kur kemi folur për emrin më të madh të Allahut xh.sh..

Këta dy emra së bashku nëse përdoren për lutje, kanë efekt shumë të madh në përgjigjen e saj. Pejgamberi, sal-Allahu alejni ve sel-lem, kur kishte brenga e gajle të mëdha, shpesh lutej me këta dy emra të Allahut xh.sh.:

“O i Gjallë, i Përjetshëm, o Mbajtësi i gjithçkaje, me mëshirën Tënde Kërkoj ndihmë!“

Gjithashtu duaja me këta emra ka efekt të madh në pranimin e istigfarit nga ana e Allahut xh.sh., në fshirjen e gjunaheve. Në hadithin e Abdullah Bin Mesudit r.a. ka ardhur se Peigamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Kush thotë: Estagfirullah el-Adhim, që nuk ka zot tjetër pos Tij, Ai është i Gjalli, i Përjetshmi, Mbajtësi i gjithçkaje dhe tek Ai pendohem, tri herë, i falen gjunahet e tij, edhe nëse ka ikur nga fronti (i luftës)“.

- Sigurisht që njohja e kuptimit të këtyre dy emrave të bukur të Allahut dhe të punuarit me to ka rëndësi të madhe në jetën e muslimanit, në imanin e tij, në mbështetjen e tij, ne lutjet e tij, në jetën e tij të kësaj bote dhe të tjetrës