Emrat e Allahut

41

الْحَلِيمُ

El-Halim

Përdëllimtari

Kategoritë

  • Mëshira
  • Falja

Pse Allahu nuk na dënon menjëherë për gabimet tona?

El-Halim është Ai që nuk ngutet për dënim — i buti, i mëshirshmi, që pret kthimin e robërve të Tij me falje e dashuri.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Halim - Përdëllimtari, Ai që nuk ngutet për hakmarrje, i mëshirshmi për robërit e Vet. Ky emër është përmendur në Kur’an 11 herë, si në ajetet:

لَّا يُؤَاخِذُكُمُ ٱللَّهُ بِٱللَّغْوِ فِىٓ أَيْمَٰنِكُمْ وَلَٰكِن يُؤَاخِذُكُم بِمَا كَسَبَتْ قُلُوبُكُمْ وَٱللَّهُ غَفُورٌ حَلِيمٌ“Allahu nuk ju dënon nëse betoheni pa qëllim, por ju dënon për atë që vendosni në zemrat tuaja. Allahu është Falës i madh e Përdëllimtar (nuk ngutet për hakmarrje)”. (Bekare: 225)”

قَوْلٌ مَّعْرُوفٌ وَمَغْفِرَةٌ خَيْرٌ مِّن صَدَقَةٍ يَتْبَعُهَآ أَذًى وَٱللَّهُ غَنِىٌّ حَلِيمٌ“Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje. Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe Përdëllimtar (nuk nxiton në dënime)”. (Bekare: 263)”

تُسَبِّحُ لَهُ ٱلسَّمَٰوَٰتُ ٱلسَّبْعُ وَٱلْأَرْضُ وَمَن فِيهِنَّ وَإِن مِّن شَىْءٍ إِلَّا يُسَبِّحُ بِحَمْدِهِۦ وَلَٰكِن لَّا تَفْقَهُونَ تَسْبِيحَهُمْ إِنَّهُۥ كَانَ حَلِيمًا غَفُورًا“Atë e madhërojnë shtatë qiejt, toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata. Ai, me të vërtetë, është Përdëllimtar (nuk nxiton në dënime) dhe Falës”. (Isra: 44)”

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Bindja, imani se Allahu xh.sh. di çdo gjë, se Ai hidhërohet kur shkelen ligjet e Tij, kur i bëhet shirk, kufër apo mëkat.

-Bindja se Allahu është shumë i mëshirshëm, është shumë i matur, i durueshëm, i dhimbshëm, e kjo e bën njeriun ta dojë Allahun xh.sh. sepse me të kuptuar këtë cilësi të Allahut, njeriut i shtohet dashuria ndaj Tij.

-Njeriut kur i bëhet keq apo e padrejtë, zakonisht menjëherë hakmerret ose të paktën mendon si të hakmerret, që është e kundërta e Allahut xh.sh..

-Kujdesi që njeriu mos ta hidhërojë Allahun dhe të mos mashtrohet në afatizimin nga i madhi Zot apo në vonimin e ndëshkimit, sepse Allahu edhe pse e shtyn zullumqarin dhe e afatizon, në fund e ndëshkon në këtë ose në botën tjetër.

-Mosngutja dhe mospërshpejtimi nga ana jonë që Allahu ta dënojë zullumqarin sepse Allahu është El-Halim.

-Përpjekja për t’u pajisur me këtë cilësi, që është të toleruarit e njerëzve që bëjnë keq, duke i falur dhe duke qenë i dhimbsur ndaj tyre.

-Lejohet cilësimi dhe emërtimi i njerëzve me këtë cilësi, el-hilm. Allahu i ka emërtuar Pejgamberët e Tij me këtë cilësi dhe ka thënë për Ibrahimin, alejhi selam:

وَمَا كَانَ ٱسْتِغْفَارُ إِبْرَٰهِيمَ لِأَبِيهِ إِلَّا عَن مَّوْعِدَةٍ وَعَدَهَآ إِيَّاهُ فَلَمَّا تَبَيَّنَ لَهُۥٓ أَنَّهُۥ عَدُوٌّ لِّلَّهِ تَبَرَّأَ مِنْهُ إِنَّ إِبْرَٰهِيمَ لَأَوَّٰهٌ حَلِيمٌ“...S’ka dyshim se Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë (i vetëpërmbajtur, i matur).” (Tevbe: 114)”

Kjo është cilësi të cilën e do Allahu dhe Pejgamberi i Tij, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, siç ka ardhur në hadithin e Ibnu Abasit r.a., se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, i tha kryeplakut të fisit nga Abdulkajs i quajtur El-Eshexh-xh Abdulkajs: “Ti ke dy cilësi të cilat i do Allahu: maturinë (el-hilm) dhe mosnxitimin për hakmarrje (vetëpërmbajtjen, el-enatu)”.

-Është obligim të pajisemi me këtë cilësi sepse ne që e njohim Allahun xh.sh. e dimë se Ai është El-Halim ndaj atyre që i bëjnë mëkat, duke mos nxituar t’u hakmerret, por i shtyn dhe afatizon, ndoshta pendohen e kthehen, prandaj duhet t’i tolerojmë ata që na kundërshtojnë e na bëjnë keq, mos t’u hakmerremi, por t’i falim. Allahu na pajistë me këtë cilësi!