Emrat e Allahut

20

الْمُتَكَبَّرُ

El-Mutekebbir

I Madhërishmi

Kategoria

  • Madhështia

Kush është Madhështori që çdo gjë i përkulet?

El-Mutekebbir është Ai që madhërohet me të drejtë — çdo krijesë e njeh madhështinë e Tij dhe përkulet para fuqisë së Tij absolute.

Ndër emrat e bukur të Allahut me të cilët Allahu e ka emërtuar lartmadhërinë e Tij është edhe emri El-Mutekebbir, I Madhërishmi. Madhështia e Tij nuk mund të krahasohet me të perceptuarit e mendjes njerëzore. Ky emër është cekur vetëm një herë në Kur’an, në suren El-Hashr:

هُوَ ٱللَّهُ ٱلَّذِى لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْمَلِكُ ٱلْقُدُّوسُ ٱلسَّلَٰمُ ٱلْمُؤْمِنُ ٱلْمُهَيْمِنُ ٱلْعَزِيزُ ٱلْجَبَّارُ ٱلْمُتَكَبِّرُ سُبْحَٰنَ ٱللَّهِ عَمَّا يُشْرِكُونَ“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Pastri (nga çdo e metë), Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, i Madhërishmi. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)”! (Hashr: 23)

Allahu është Madhështori, me cilësitë e Tij është mbi krijesat e Tij, veçohet me to nga krijesat e Tij, madhështi e cila i përket lartmadhërisë së Tij, ashtu sikurse edhe cilësitë (sifatet) e tjera.

Thuhet se El-Mutekebbir është Ai që nuk u bën zullum e padrejtësi krijesave të Tij.

Katade ka thënë: “I Madhërishmi, madhështia e të cilit është mbi çdo gjë”.

El-Hatabij ka thënë: “Ai është i Madhërishmi nga cilësitë e krijesave të Tij, (nuk i ngjan Atij askush në cilësitë e Tij)”.

Thuhet se është Ai që është i Madhërishëm, por nëse krijesat e Tij i bëjnë Atij rival në atë madhështi, i shkatërron ato.

Ky emër tregon për lartësine e Allahut nga cilësitë e krijesave të Tij, Ai është i Madhërishëm dhe larg çdo ngjashmërie që dikush të jetë sikurse Ai apo t'i përngjajë Atij. Ai është larg çdo të keqeje apo të lige. Ai është i Madhërishëm t'i bëjë padrejtësi apo zullum krijesave të Tij, është larg çdo padrejtësie. Cilësitë e Tij janë të përkryera, veprat e Tij janë te përkryera. Çdo gjë tjetër është e vogël, vetëm Allahu është i madh. Madhështia e Tij nuk mund të krahasohet me të përceptuarit e mendjës njerëzore.

Kjo cilësi, madhështia (el-kibrijau), nuk i takon askujt tjetër pos lartmadhërisë së Tij sepse Ai është Sundimtar, El-Melik, ndërsa krijesat janë robër (memluk). Ai është i vetmi Zot, Er-Rrab, ndërsa krijesat janë ato që duhët ta konsiderojnë Zot. Ai është Krijues, ndërsa krijesat janë të krijuara, Ai është i vetmi dirigjues dhe Sundues absolut i kësaj gjithësie, ndërsa krijesat janë të sunduara e të dirigjuara. Ai është i vetmi me cilësi të përkryera, me madhështinë e Tij që nuk mund të përceptohet e as të krahasohet me mendjen njerëzore. Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, thoshte në ruku dhe në sexhde:

“I lartësuar (subhane) është Mbizotëruesi i çdo gjëje, Pushtetari absolut, i Madhërishmi, Madhështori.”


Njeriut i përket modestia

Madhështia, madhërimi (el-kibrijau) është nga emrat dhe cilësitë e Allahut xh.sh., i vetëm që e meriton atë emër, askush tjetër. Njeriut nuk i takon një emërtim i tillë e as cilësi e tillë, atij i takon thjeshtësia e modestia, përulja ndaj të Madhërishmit. Rukuja dhe sexhdja në veçanti, e namazi në përgjithësi, është edhe adhurimi më i dashur për Allahun dhe kur biem në ruku e në sexhde themi Allahu ekber. Atij i takon madhështia e jo neve si njerëz, pasi neve na takon modestia, përulja e thjeshtësia, ndaj edhe duke u përulur biem në ruku e pastaj në sexhde.

Zoti xh.sh. dënoi ata që refuzuan modestinë dhe zgjodhën mendjemadhësinë

Allahu i Madhëruar na tregon në Kur’an shumë raste se ata që e konsideruan veten ‘të mëdhenj’, që u rebeluan ndaj Allahut xh.sh.., i dënoi në këtë dunja, i poshtëroi para se t’i dënonte dhe do t’i poshtërojë Ditën e Kiametit. Le ta ilustrojmë me disa shembuj.

-Iblisit të mallkuar iu rrit mendja, u tregua mendjemadh dhe arrogant. Allahu xh.sh. tha:

إِلَّآ إِبْلِيسَ ٱسْتَكْبَرَ وَكَانَ مِنَ ٱلْكَٰفِرِينَ“përveç Iblisit; ai u bë mendjemadh e një nga mohuesit” (Sad: 74)

Iblisi u tregua arrogant dhe mendjemadh ndaj urdhrit të Allahut për t’iu përulur Ademit, alejhi selam, por çfarë i ndodhi? E poshtëroi dhe e mallkoi Allahu në dunja dhe ia bëri të ndaluar xhenetin përgjithmonë:

وَإِنَّ عَلَيْكَ لَعْنَتِىٓ إِلَىٰ يَوْمِ ٱلدِّينِ“dhe mallkimi Im do të jetë mbi ty deri në Ditën e Gjykimit”. (Sad: 78)

Allahu tha për të dhe për të gjithë ata që e dëgjojnë dhe e pasojnë atë:

قَالَ فَٱلْحَقُّ وَٱلْحَقَّ أَقُولُ
لَأَمْلَأَنَّ جَهَنَّمَ مِنكَ وَمِمَّن تَبِعَكَ مِنْهُمْ أَجْمَعِينَ
“Zoti tha: “E vërteta është - dhe Unë them vetëm të vërtetën se, do ta mbush xhehenemin me ty dhe me të gjithë ata që të pasojnë ty!” (Sad: 84-85).

Nga frytet e besimit në këtë emër

Lartmadhëria e madhështia i përket Allahut xh.sh..

Nuk ka asnjë arsye që njeriu ta ndiejë veten të madh, ta ndiejë veten se është dikushi, por duhet të jetë modest, i thjeshtë, i përulur, ta ndiejë veten se është i vogël, i dobët, ndërsa Allahu është i madh, i fortë, i madhërishëm, Atij t’ia ketë frikën, t’i lutet e t’i mbështetet.

Bindja se çdo mendjemadhi e kryeneçi Allahu ka për t’ia prurë fundin e keq në këtë dunja para ahiretit.

Kjo ia shton besimtarit imanin dhe dashurinë për Allahun, ia shton mbështetjen tek Allahu se Ai merr hak, Ai u del mjaft mendjemëdhenjve dhe arrogantëve.