Emrat e Allahut

21

الْعَظِيمِ

El-Adhim

Madhështori

Kategoria

  • Madhështia

A mund ta përfytyrojë mendja madhështinë e Tij?

El-Adhim është i Larti dhe i Madhërishmi — çdo gjë e krijuar dëshmon për madhështinë e Tij.

Ndër emrat e bukur të Allahut me të cilët Allahu e ka emërtuar lartmadhërinë e Tij është edhe emri El-Adhim - Madhështori, madhështia e të Cilit nuk mund të perceptohet kurrsesi nëpërmjet shqisave njerëzore.

Këtë emër Allahu xh.sh. e ka përmendur nëntë herë në Kur’an, si në ajetin:

ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْحَىُّ ٱلْقَيُّومُ لَا تَأْخُذُهُۥ سِنَةٌ وَلَا نَوْمٌ لَّهُۥ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ مَن ذَا ٱلَّذِى يَشْفَعُ عِندَهُۥٓ إِلَّا بِإِذْنِهِۦ يَعْلَمُ مَا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَمَا خَلْفَهُمْ وَلَا يُحِيطُونَ بِشَىْءٍ مِّنْ عِلْمِهِۦٓ إِلَّا بِمَا شَآءَ وَسِعَ كُرْسِيُّهُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ وَلَا يَـُٔودُهُۥ حِفْظُهُمَا وَهُوَ ٱلْعَلِىُّ ٱلْعَظِيمُ“....Ai është i Larti, Madhështori (i Madhi).” (Bekare: 255)

Pastaj në ajetin:فَسَبِّحْ بِٱسْمِ رَبِّكَ ٱلْعَظِيمِ “prandaj lavdëroje (lartësoje) emrin e Zotit tënd të Madhërishëm (të Madh)!” (Hakah: 74)

Pastaj ajeti:إِنَّهُۥ كَانَ لَا يُؤْمِنُ بِٱللَّهِ ٱلْعَظِيمِ “Sepse ai nuk besonte Allahun e Madhëruar”. (Hakah: 33)

Kuptimi i emrit El-Adhim sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Kurtubiu ka thënë: “Kuptimi i emrit El-Adhim mund të jetë El-Muadh-dham, i madhëruar, që nënkupton se është cilësi e Tij. Me këtë po e lavdëron Veten e Tij... El-Adhim është i Madhëruar sepse është i madhëruar në famë, në pozitë e respekt. Cilësia e Tij e madhërisë vërehet në atë që ka krijuar Ai nga krijesat e Tij të mëdha, si qiejt e lartë, toka dhe çfarë ka mes tyre dhe nën to deri në fund të krijesave të Tij për nga ana e ulët dhe në fund të krijesave të Tij për së larti. El-Halimij ka thënë: “El-Adhim është Ai që nuk ka mundësi kush t’i dalë para sepse kur themi adhim el-kavm: i pari i popullit (i fisit), është udhëheqës i tyre, por edhe nëse është i tillë, ai nga njëherë nuk ka mundësi të bëjë çfarë të dojë, ndërsa Allahu mund të bëjë çfarë të dojë dhe askush nuk mund t’i dalë para e ta pengojë ”.

Allahu i Madhëruar është El-Adhim - Madhështor, i Madh, në çdo gjë, i madh në lartmadhërinë e Tij, në emrat e Tij, në cilësitë e Tij, i madh në mëshirën e Tij, në fuqinë e Tij, në urtësinë e Tij, në mbizotërimin e Tij, në madhështinë e Tij, në dhënien e Tij, në butësinë e Tij, në mirësinë e Tij, në bujarinë e Tij, në drejtësinë e Tij, në falënderim ndaj Tij, Ai është i madh i përgjithshëm, Atij i përket madhështia e përgjithshme, saqë askush nuk i bën dot rivalitet.

Kuptimet e madhështisë së Allahut janë dy lloje:

Lloji i parë: Allahu është i përshkruar me këtë cilësi të përkryer, Atij i përket madhështia më e madhe, më e plotë dhe më e gjerë, Ai ka dije gjithëpërfshirëse, fuqi që ekzekutohet, mbizotërim e madhështi, ashtu që nga madhështia e Tij, shtatë qiejt dhe toka në dorën e të Gjithëmëshirshmit janë më të vogla sesa një thërrmijë apo kokërr gruri, siç ka thënë Ibnu Abasi r.a. dhe të tjerë për ajetin kur’anor:

وَمَا قَدَرُوا ٱللَّهَ حَقَّ قَدْرِهِۦ وَٱلْأَرْضُ جَمِيعًا قَبْضَتُهُۥ يَوْمَ ٱلْقِيَٰمَةِ وَٱلسَّمَٰوَٰتُ مَطْوِيَّٰتٌۢ بِيَمِينِهِۦ سُبْحَٰنَهُۥ وَتَعَٰلَىٰ عَمَّا يُشْرِكُونَ“Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij. I lavdëruar dhe i lartësuar qoftë Ai nga ajo që ata i shoqërojnë (në adhurim)!” (Zumer: 67).

Lloji i dytë: I vetmi Ai duhet madhëruar, ashtu që nuk e meriton askush nga krijesat e Tij të madhërohet ashtu siç madhërohet Allahu xh.sh.. Bën të çmohet e të respektohet, por jo të madhërohet sepse madhërimi i Tij është adhurim, është ibadet, i cili nuk bën t’i dedikohet askujt pos Allahut xh.sh..

Ky madhërim ndaj Tij bëhet me zemër, me gjuhë e pastaj me gjymtyrë, prandaj Ai duhet njohur, duhet besuar, njeriu duhet të jetë modest dhe i thjeshtë para lartmadhërisë së Tij, duhet dashur, duhet pasur frikë, duhet kujtuar me gjuhë, duhet lavdëruar e madhëruar. Duhet punuar me gjymtyrë ajo që Ai ka kërkuar, ajo që na shpie në dashurinë e Tij, në mëshirën e Tij, etj..

Sigurisht që pjesë e madhërimit të Tij është të madhërohet ajo çfarë Ai e ka madhëruar dhe na ka urdhëruar të madhërohet, si fjala vjen Pejgamberët e Zotit, Qabenë, pastaj xhamitë në përgjithësi, fenë e tij, librin e Tij dhe kështu me radhë, siç ka thënë Allahu xh.sh.:

ذَٰلِكَ وَمَن يُعَظِّمْ شَعَٰٓئِرَ ٱللَّهِ فَإِنَّهَا مِن تَقْوَى ٱلْقُلُوبِ“Kjo është kështu! E kush madhëron shenjat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave”. (Haxh: 32)

Ibnu Kajimi ka thënë: “Gjëja e dytë me të cilën drejtohet (qëndron në rrugën e Allahut) zemra është madhërimi i urdhrit dhe ndalesës (hallallit e haramit), e kjo buron nga madhërimi i Urdhëruesit dhe Ndaluesit, ngase Allahu e ka nënçmuar atë që nuk e madhëron Allahun dhe nuk e madhëron urdhrin e Tij dhe ndalesën e Tij. Allahu xh.sh. ka thënë:

مَّا لَكُمْ لَا تَرْجُونَ لِلَّهِ وَقَارًا“Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun si duhet”. (Nuh: 13).

Ulematë në tefsirin e ajetit kanë thënë: “Përse nuk e keni frikë Madhërinë e Tij?”

*Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, urdhëroi që Allahut t’i bëhet tesbih e të madhërohet me këtë emër të bukur të Tij. Në hadithin e Ebu Hudhejfes ka ardhur se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, thoshte në ruku: “Subhane Rabije el-Adhim- I lartësuar qoftë Zoti im i Madh”.