Emrat e Allahut

V

Numri i emrave të Allahut xh.sh

Shumë herë dëgjojmë nga xhematlinjtë se Allahu ka 99 emra dhe këtë e thonë duke u bazuar ne hadithin e Ebu Hurejres r.a., se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Allahu ka 99 emra, njëqind pa një. Kush i numëron (punon me ta) të gjithë, ka për të hyrë në xhenet“

E vërteta është se emrat e Allahut xh.sh. nuk janë të kufizuar me numër të caktuar, ata janë të shumtë, askush nuk e di sa emra ka Allahu xh.sh.. Këtë gjë e vërtetojnë shumë hadithe të sakta, si hadithi i Aishes r.a., e cila ka thënë: “Një natë më doli gjumi dhe vërejta se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, nuk ishte në shtrat. Fillova ta kërkoja (ta lëvizja dorën në errësire se ku ishte) dhe dora ime preku shputat poshtë, të cilat i kishte shtrirë. Ishte në sexhde dhe ishte duke thënë:

“Zoti im, kërkoj të më ruash me kënaqësinë Tënde nga hidhërimi Yt, me faljen Tënde nga dënimi Yt. Kërkoj të më ruash nga Vetja Jote. Unë nuk mund ta përfshij lavdërimin Tënd ashtu siç e ke lavdëruar Ti Veten”.

Nga kjo kuptohet se po t'i dinte Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, të gjithë emrat e Allahut, do ta lavdëronte e madhëronte me ta, por nuk i dinte të gjithë. Pastaj është edhe hadithi i gjate i shefatit, ose ndërmjetësimit në Ditën e Kiametit, ku Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, pasi merr guximin të bëjë shefat tek Allahu xh.sh. për të filluar llogaritja e njerëzve atë ditë të vështirë dhe i jep leje Allahu për të bërë shefat, ai i bekuar shkon tek Arshi i Allahut, bie në sexhde, e madhëron dhe e lavdëron Allahun. Pejgamberi, alejhi selam, thotë: ...pastaj Allahu më mundëson ta falënderoj e lavdëroj Atë aq mirë, saqë nuk ia ka mundësuar askujt me parë para meje…“

Hadithi nënkupton se ka emra e cilësi me të cilat lavdërohet Allahu, por që Allahu nuk ia ka treguar më parë asnjë Pejgamberi dhe që nuk janë as në Kur'an e as në Sunet, sepse përndryshe do ti dinte Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve selem.

Pastaj është hadithi i Abdullah Bin Mesudit r.a., se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem,ka thënë

“Nuk ka njeri që e kaplon ndonjë brengë apo mërzi e të thotë: -Zoti im, unë jam robi Yt, bir i robit Tënd, bir i robëreshës Tënde, çështja ime është në dorën Tënde, vendimi Yt realizohet (s'ka kush që e ndal), gjykimi Yt për mua është i drejtë. Të lus Ty me çdo emër Tëndin, me të cilin e ke emëruar Vetën Tënde ose e ke zbritur në Librin Tënd, ose ia ke mësuar atë ndonjërës nga krijesat e Tua, ose e ke fshehur atë në dijen Tënde të fshehtë, që ta bësh Kur'anin pranverë të zemrës sime, dritë të gjoksit tim, pezullim të mërzisë sime, largim të brengës sime, e që nuk ka për t'ia larguar Allahu brengën dhe mërzinë e tij dhe ka për t'ia zëvendësuar në vend të saj me gëzim!“

Ibnu Kajimi për këtë hadith ka thënë: “Allahu i ka ndarë emrat e Tij në tre grupe. Me njërin grup e ka quajtur Veten e Tij dhe ia ka treguar kujt ka dashur nga melaiket e Tij apo ndonjë krijese tjetër, që nuk e ka cekur në asnjërin nga librat e Tij.

Një grup tjetër i ka shpallur në Librat e Tij dhe i kanë kuptuar e mësuar robët e Ti

Një grup tjetër e ka fshehur në dijen e Tij të fshehtë, nuk ia ka treguar askujt nga krijesat e Tij, që nënkupton se vetëm Ai i di ata emra dhe askush tjetër, prandaj Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë “e ke fshehur atë në dijen Tënde të fshehtë“.

Nga këto hadithe kuptohet qartë se Allahu nuk ka vetëm 99 emra, por ka më shumë dhe numrin e tyre të saktë nuk e di asnjë krijesë.

Por çfarë të thuhet për hadithin e Ebu Hurejres r.a., se Allahu ka 99 emra, siç u tha më lart?

Neveviu ka thënë: “Dijetarë islamë kanë rënë në ujdi se në këtë hadith (të Ebu Hurejres) nuk ka kufizim të emrave të Allahut, ashtu sikurse nuk është kuptimi i hadithit se Allahu nuk ka ndonjë emër tjetër përveç këtyre 99 emrave, por kuptimi i hadithit është se kush i mëson, i kupton dhe punon me ta, ka për të hyrë në xhenet. Qëllimi është informimi për hyrjen në xhenet kur punohet me ata emra dhe jo informimi për kufizimin e numritë të tyre.

Thuhet se kuptimi i hadithit është si kur dikush i thotë dikujt: -Unë kam 99 euro, që i kam ndarë për sadaka. Kjo nuk do të thotë se ai nuk ka më shumë se 99 euro, por do të thotë se 99 euro i ka ndarë për sadak

* Mund të parashtrohet pyetja për sekretin e përmendjes së numrit 99 të emrave të Tij, subhanehu ve teala: Përse ka thënë pikërisht 99 e jo më pak apo më shumë? Sigurisht që edhe kjo ka urtësi, të cilën ne nuk e dimë, ndaj themi siç kanë thënë shumë ulema para nesh: Allahu e di më së miri. Kjo mund të jetë si çështja e pesë kohëve namaz në ditë, përse jo gjashtë e as katër, por pesë? Allahu e di, jo çdo gjë e dimë dhe e kuptojmë ne, por Allahu në çdo fjalë e veprim ka urtësi të përkryera, subhanehu ve teala.