Emrat e Allahut

28

الْمُصَوِّرُ

El-Musavviru

Formëdhënësi

Kategoritë

  • Krijimi
  • Bukuria

Ai që jep formë çdo krijese

El-Musavvir i jep çdo krijese formën e saj unike — bukuria e çdo gjëje është shenjë e Tij.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Musavviru - Formëdhënësi, Ai që u dha formë të gjitha krijesave. Ky emër është përmendur vetëm një herë në Kur’an, në suren Hashr:

هُوَ ٱللَّهُ ٱلْخَٰلِقُ ٱلْبَارِئُ ٱلْمُصَوِّرُ لَهُ ٱلْأَسْمَآءُ ٱلْحُسْنَىٰ يُسَبِّحُ لَهُۥ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَهُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ“Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi (Shpikësi), Formëdhënësi (Ai që çdo gjëje i jep trajtë). Atij i përkasin emrat më të bukur ...” (Hashr: 24)

Ndërsa si folje ka ardhur në shumë vende në Kur’an, si në ajetin:

هُوَ ٱلَّذِى يُصَوِّرُكُمْ فِى ٱلْأَرْحَامِ كَيْفَ يَشَآءُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ“Ai ju formon në mitër, ashtu siç dëshiron Vetë; s’ka zot tjetër që meriton të adhurohet, përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit!” (Ali Imran: 6)

Pastaj në ajetin:

خَلَقَ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ بِٱلْحَقِّ وَصَوَّرَكُمْ فَأَحْسَنَ صُوَرَكُمْ وَإِلَيْهِ ٱلْمَصِيرُ“Ai i ka krijuar qiejt dhe tokën me të vërtetën, ju ka dhënë format tuaja dhe jua ka bërë ato të bukura; të gjithë tek Ai do të ktheheni”. (Tegabun: 3)

Kuptimi i këtij emri sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Edhe kuptimi fetar sillet rreth atij gjuhësor. Allahu është El-Musavvir - Formëdhënës i gjësendeve, i krijesave, i formave të jashtme dhe të brendshme, i formave konkrete dhe abstrakte, ashtu që nuk ka dy krijesa të cilat janë të njëjta në çdo gjë, por patjetër duhet të dallojnë njëra nga tjetra, edhe pse në shikim të parë mund të duken të njëjta. Allahu xh.sh. ka thënë:

بَلَىٰ قَٰدِرِينَ عَلَىٰٓ أَن نُّسَوِّىَ بَنَانَهُۥ“Po, si jo (do t’i tubojmë)! Ne jemi të Zotë t’ia rikrijojmë si kanë qenë edhe majat e gishtave të tij”. (Kijameh: 4)

Nga gjithë ai numër i madh njerëzish që nga fillimi i dunjasë e deri në kiamet asnjëri prej tyre nuk i ka majat e gishtave të njëjtë.

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Allahu është Ai që i jep njeriut dhe çdo gjëje tjetër formën që do Ai, që e zgjedh për krijesën e Tij.

-Çdo gjë që sheh njeriu në këtë gjithësi, çdo krijesë ka formën e vet, e cila tregon për madhështinë e Formëdhënësit, El-Musavviru, tregon për dijen e Tij, për urtësinë e Tij.

-I mençuri në çdo krijesë e sheh madhështinë e Allahut, madhështinë e Krijuesit, Formëdhënësit të asaj krijese, ndaj nuk gjen tjetër shprehje pos të thotë sa herë që çuditet me ndonjë krijesë të Allahut: SubhanAllah! I lartësuar është Allahu xh.sh.!

-Formëdhënia i përket Allahut xh.sh., ndaj është e ndaluar rreptësisht që njerëzit të bëjnë skulptura, piktura apo vizatime të ndryshme në formën e gjallesave me shpirt, ngase kjo i përngjet Allahut xh.sh., El-Musavviru, Formëdhënësit. Në hadithin e Pejgamberit, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka ardhur:

“Dënimin më të rëndë Ditën e Kiametit do ta kenë formëdhënësit (skulptorët, piktorët, që pikturojnë e skalitin gjallesa).”

-Nëse Ai është i veçantë në krijim, në formëdhënie, atëherë Ai duhet adhuruar e jo idhujt e statujat.

Dallimi mes emrave El-Halik, El-Bariu, El-Musavvir

Shenkiti ka thënë: “El-Halik është Ai që përcakton para se ta krijojë, para se të gjendet (ajo krijesë), ndërsa El-Bariu është Filluesi, Krijuesi që i krijon krijesat pa ndonjë model paraprak, ashtu siç e ka përcaktuar. Jo çdokush që përcakton diçka, mund ta krijojë, pos Allahut. Ndërsa El-Musavvir është Formëdhënësi për çdo krijesë në formën që e ka zgjedhur për ta krijuar. Nuk e ka bërë të veçantë çdo gjë në këtë gjithësi, në formën përkatëse, pos Allahut, subhanehu ve teala, ashtu siç shihet te krijesat e Allahut, si te njeriu, shtazët, bimët, çdo krijesë ka formën përkatëse ”.

Ngjashëm me këtë dallim tha edhe Gazaliu, kur folëm për emrin El-Bariu.

Këto dallime mes këtyre tre emrave i vërejmë kur i bëjmë bashkë, siç kanë ardhur të tre bashkë në një ajet, por nëse ndahen dhe ceken veç e veç, atëherë secili emër në vetvete përfshin edhe dy emrat e tjerë.