Emrat e Allahut

17

الْعَزِيزُ

El-Aziz

Fuqiploti, Madhështori

Kategoritë

  • Fuqia
  • Madhështia

Kush ka forcën që askush s’e sfidon?

El-Aziz është Fuqiploti që nuk mposhtet. Askush nuk është i barabartë me fuqinë e Tij.

Ndër emrat e bukur të Allahut me të cilët Allahu e ka emërtuar lartmadhërinë e Tij është edhe emri El-Aziz, Fuqiploti, Madhështori. Fuqia e Tij mbulon këtë gjithësi, askush nuk është i barabartë me fuqinë e Tij.

Ky emër është cekur 92 herë në Kur’an. Në shumicën e rasteve është cekur bashkë me emra të tjerë të Allahut xh.sh., si për shembull:

رَبَّنَا وَٱبْعَثْ فِيهِمْ رَسُولًا مِّنْهُمْ يَتْلُوا عَلَيْهِمْ ءَايَٰتِكَ وَيُعَلِّمُهُمُ ٱلْكِتَٰبَ وَٱلْحِكْمَةَ وَيُزَكِّيهِمْ إِنَّكَ أَنتَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ“...Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” (Bekare: 129)

مِن قَبْلُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَأَنزَلَ ٱلْفُرْقَانَ إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا بِـَٔايَٰتِ ٱللَّهِ لَهُمْ عَذَابٌ شَدِيدٌ وَٱللَّهُ عَزِيزٌ ذُو ٱنتِقَامٍ“...Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim”. (Ali Imran: 4)

فَالِقُ ٱلْإِصْبَاحِ وَجَعَلَ ٱلَّيْلَ سَكَنًا وَٱلشَّمْسَ وَٱلْقَمَرَ حُسْبَانًا ذَٰلِكَ تَقْدِيرُ ٱلْعَزِيزِ ٱلْعَلِيمِ“...Kjo është urdhëresa e Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit”. (Enam: 96)

وَمَا نَقَمُوا مِنْهُمْ إِلَّآ أَن يُؤْمِنُوا بِٱللَّهِ ٱلْعَزِيزِ ٱلْحَمِيدِ“Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd”. (Buruxh: 8)

Kuptimi gjuhësor i emrit el-aziz

Emri el-aziz nga ana gjuhësore ka disa kuptime:

-Ngadhënjim, të ngadhënjesh ndaj dikujt, të mundësh dikë, qoftë edhe në debat apo në bisedë.

-Forcë, fuqi, kurse sendit apo krijesës së fuqishme i thuhet edhe elaziz.

-I rrallë, i çmuar, shumë i vlefshëm. Thuhet për dikë apo për diçka se është aziz, domethënë i veçantë, nuk ka diçka si ai, nuk i afrohet asgjë afër. Për shembull njeriu ka një lloj pasurie të veçantë, e çmon më shumë se pasurinë tjetër dhe e quan aziz, domethënë e veçantë. Ose ka një shok të veçantë, aziz nga të tjerët, e do më shumë, e çmon më shumë dhe kështu me radhë.

Kuptimi i emrit el-aziz sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh

Kuptimi i emrit el-aziz në hakun e Allahut xh.sh. është Ai që ka të gjitha kuptimet e fjalës el-iz-zetu, siç ka thënë Allahu për Veten e Tij, subhanehu ve teala:

وَلَا يَحْزُنكَ قَوْلُهُمْ إِنَّ ٱلْعِزَّةَ لِلَّهِ جَمِيعًا هُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْعَلِيمُ“...E gjithë fuqia (madhështia) i përket Allahut...” (Junus: 65)

Kjo fuqi e madhështi kthehet në tre kuptime kryesore, të cilat i përkasin lartmadhërisë së Allahut xh.sh.:

E para: Madhështia e fuqisë, e forcës, të cilën nuk e ka asnjë krijesë, siç e ka përshkruar Veten i madhi Allah:

فَأَمَّا عَادٌ فَٱسْتَكْبَرُوا فِى ٱلْأَرْضِ بِغَيْرِ ٱلْحَقِّ وَقَالُوا مَنْ أَشَدُّ مِنَّا قُوَّةً أَوَلَمْ يَرَوْا أَنَّ ٱللَّهَ ٱلَّذِى خَلَقَهُمْ هُوَ أَشَدُّ مِنْهُمْ قُوَّةً وَكَانُوا بِـَٔايَٰتِنَا يَجْحَدُونَ“...Vallë, a nuk e dinin ata se Allahu që i kishte krijuar, është më i fuqishëm se ata?! ...” (Fusilet: 15)

Po ashtu ka thënë:

وَمِنَ ٱلنَّاسِ مَن يَتَّخِذُ مِن دُونِ ٱللَّهِ أَندَادًا يُحِبُّونَهُمْ كَحُبِّ ٱللَّهِ وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا أَشَدُّ حُبًّا لِّلَّهِ وَلَوْ يَرَى ٱلَّذِينَ ظَلَمُوٓا إِذْ يَرَوْنَ ٱلْعَذَابَ أَنَّ ٱلْقُوَّةَ لِلَّهِ جَمِيعًا وَأَنَّ ٱللَّهَ شَدِيدُ ٱلْعَذَابِ“...Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër”. (Bekare: 165)

E dyta: Fuqia e pavarësisë së Tij nga çdo gjë tjetër. Allahu nuk ka nevojë për askënd, Atë nuk mund ta arrijnë robërit e Tij me asgjë e t’i bëjnë mirë apo t’i bëjnë keq. Ai i bën dëm e dobi kujt të dojë, i jep dhe ia ndal kujt të dojë, Ai nuk ka nevojë për asgjë, as për rival, as për bashkëshorte e as për fëmijë.

Allahu xh.sh. ka thënë:

سُبْحَٰنَ رَبِّكَ رَبِّ ٱلْعِزَّةِ عَمَّا يَصِفُونَ
وَسَلَٰمٌ عَلَى ٱلْمُرْسَلِينَ
وَٱلْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ ٱلْعَٰلَمِينَ
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i madhështisë e i lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të Dërguarit dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saf-fat: 180-182)

Dhe:

وَهُوَ ٱلَّذِى يَبْدَؤُا ٱلْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُۥ وَهُوَ أَهْوَنُ عَلَيْهِ وَلَهُ ٱلْمَثَلُ ٱلْأَعْلَىٰ فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَهُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ“...Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti”. (Rrum: 27)

E treta: Fuqia e mundjes, e lartësimit mbi çdo krijesë. Fuqia e Tij e mbulon këtë gjithësi, askush nuk është i barabartë me fuqinë e Tij. Të gjitha krijesat i janë nënshtruar fuqisë së Tij, vullnetit të Tij, caktimit të Tij, çdo gjë është në dorën e Tij, nën dirigjimin e Tij, asgjë nuk lëviz, nuk vepron, nuk funksionon pa lejen e Tij, pa fuqinë e Tij, subhanehu ve teala.

Allahu ka thënë për Veten:

قُلِ ٱللَّهُمَّ مَٰلِكَ ٱلْمُلْكِ تُؤْتِى ٱلْمُلْكَ مَن تَشَآءُ وَتَنزِعُ ٱلْمُلْكَ مِمَّن تَشَآءُ وَتُعِزُّ مَن تَشَآءُ وَتُذِلُّ مَن تَشَآءُ بِيَدِكَ ٱلْخَيْرُ إِنَّكَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍ قَدِيرٌ
تُولِجُ ٱلَّيْلَ فِى ٱلنَّهَارِ وَتُولِجُ ٱلنَّهَارَ فِى ٱلَّيْلِ وَتُخْرِجُ ٱلْحَىَّ مِنَ ٱلْمَيِّتِ وَتُخْرِجُ ٱلْمَيِّتَ مِنَ ٱلْحَىِّ وَتَرْزُقُ مَن تَشَآءُ بِغَيْرِ حِسَابٍ
“Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Sundues (Zotëruesi) i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron (e përul) kë të duash. Çdo e mirë është në dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë. Ti bën që nata të hyjë te dita dhe që dita të hyjë te nata. Ti e nxjerr të gjallën prej së vdekurës dhe të vdekurën e nxjerr prej së gjallës. Ti i jep kujt të duash pa kufij”. (Ali Imran: 26-27).

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh..

Njeriu të jetë modest dhe i thjeshtë para lartmadhërisë së Allahut, ta ndiejë veten se është shumë i vogël.

Ai ka nevojë për Allahun, për të Fuqishmin e Madhështorin, në çdo çast dhe minutë, për çdo fjalë a vepër. Ndaj, njeriu duhet t’i mbështetet Allahut, nga Ai ndihmë dhe lehtësim për çdo gjë të kërkojë, Atë ta lavdërojë, ta madhërojë, ta lusë e t’i mbështetet dhe tek Ai të shpresojë.