Emrat e Allahut

61

الْمُبْدِئُ

El-Mubdi

Nismëtari

Kategoria

  • Krijimi

Nga erdhi kjo gjithësi, kur më parë s'ishte asgjë?

El-Mubdi është Nismëtari. Ai e nisi krijimin nga mosekzistenca — dhe pastaj e rikthen siç e filloi.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Mubdi - Nismëtari, Që e krijoi këtë gjithësi nga mosekzistenca.

يَوْمَ نَطْوِى ٱلسَّمَآءَ كَطَىِّ ٱلسِّجِلِّ لِلْكُتُبِ كَمَا بَدَأْنَآ أَوَّلَ خَلْقٍ نُّعِيدُهُۥ وَعْدًا عَلَيْنَآ إِنَّا كُنَّا فَٰعِلِينَ“Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, e rikthejmë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” (Enbija: 104)

أَوَلَمْ يَرَوْا كَيْفَ يُبْدِئُ ٱللَّهُ ٱلْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُۥٓ إِنَّ ذَٰلِكَ عَلَى ٱللَّهِ يَسِيرٌ“Vallë, a nuk e vërejnë ata se si Allahu nis krijimin, e pastaj atë e rikthen (e përsërit), e kjo është lehtë për Allahun.” (Ankebut: 19)

Taberiu për ajetin kur’anor:

يَوْمَ نَطْوِى ٱلسَّمَآءَ كَطَىِّ ٱلسِّجِلِّ لِلْكُتُبِ كَمَا بَدَأْنَآ أَوَّلَ خَلْقٍ نُّعِيدُهُۥ وَعْدًا عَلَيْنَآ إِنَّا كُنَّا فَٰعِلِينَ“...Ashtu siç e filluam krijimin e parë, e rikthejmë...” (Enbija: 104), ka thënë se kuptimi është: “Do i rikthejmë krijesat Ditën e Kiametit të zhveshura, të zbathura dhe të pabëra synet, ashtu siç i kemi krijuar në fillim, atëherë kur i kemi krijuar në barqet e nënave të tyre”.

Hatabi ka thënë: “El-Mubdiu është Ai që i ka filluar gjërat, i ka nisur duke i shpikur ato pa qenë fare, i ka krijuar nga asgjëja.

Ibnu Mendhuri ka thënë: “Prej emrave të Allahut është El-Mubdiu, që është Ai i cili ka krijuar krijesat fillimisht pa pasur mostër më herët

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Allahu është Krijues i gjithësisë, është Shpikësi, Nismëtari i çdo gjëje, ashtu siç është Rikrijuesi, Ringjallësi që i ringjall dhe i krijon për së dyti krijesat e Tij kur i nxjerr para Vetes në Ditën e Kiametit.

-Allahu është i vetmi që meriton të adhurohet e të madhërohet, askush tjetër.

-Dija e Tij është absolute, Ai di çdo gjë, di sa krijesa ka krijuar, si i ka krijuar, sa jetojnë, ku jetojnë, kur vdesin dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me to.

-Fuqia e Tij është absolute, Ai ka krijuar krijesa gjigante, si qiejt, toka, planetët e ndryshëm dhe ç’ka në ta. Zoti i vërtetë është i fortë, El-Kavijj.

-Pushteti i Tij është absolut, numrin e madh të krijesave e di vetëm Ai, siç di madhësinë dhe llojshmërinë e tyre, të gjitha janë nën pushtetin e Tij absolut.

-Ndjenja e modestisë dhe thjeshtësisë para të madhit Zot xh.sh..

-Përgatitja për Ditën e Kiametit, për ringjalljen, sepse shumë shpejt vjen koha dhe ringjallemi dhe dalim para lartmadhërisë së Tij.