Emrat e Allahut

67

الْمُقَدِّمُ , الْمُؤَخِّرُ

El-Mukaddim, El-Muahhir

Përparësidhënësi, Paslënësi

Kategoritë

  • Fuqia
  • Urtësia

Çdo gjë ndodh në kohën që Ai ka caktuar

El-Mukaddim sjell përpara çfarë të dojë. El-Muahhir e vonon. Asgjë nuk është herët a vonë veçse me caktimin e Tij.

Ndër emrat e bukur të Allahut janë edhe emrat El-Mukaddim - Përparësidhënësi dhe El-Muahhir - Paslënësi, El-Mukaddim ka kuptimin Nismëtari, Përparësidhënësi, Ai që sjell çdo send në vendin e duhur, Ai që vë përpara, i jep përparësi diçkaje ndaj tjetrës. Emri El-Muahhir ka kuptimin Paslënësi, Ai që vonon ndonjë dënim ose ndëshkim, Ai që e vonon, lë pas diçka ndaj diçkaje tjetër.

Këta dy emra të bukur nuk janë cekur në Kur’an, por janë cekur në hadithet e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, si hadithi i Ibnu Abasit r.a., se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kur hynte në namaz nate, e fillonte me këto fjalë: “...Zoti im, Ty t’u dorëzova, te Ti u mbështeta, te Ti besova, te Ti u ktheva, për Ty debatova, për Ty gjykova (me drejtësinë Tënde), më fal mua atë që kam bërë më parë dhe atë që bëj më pas, atë që e kam bërë fshehurazi dhe atë që e kam bërë haptazi, Ti je (El-Mukaddim) Përparësidhënësi (Ai që vë para diçka) dhe Ti je (El-Muahhir) Paslënësi (Ai që vonon diçka), nuk ka Zot tjetër pos Teje.

Nga frytet e besimit në këta dy emra të Allahut

Mund të themi se ndër frytet e besimit në këta emra të bukur të Allahut janë:

-Besimi i njeriut se Allahu xh.sh. është El-Mukaddim, El-Muahhir, Përparësidhënësi, Paslënësi dhe askush nuk mund t’i bëhet ortak apo pjesëmarrës në këtë. Kjo e bën njeriun të ndihet modest dhe i thjeshtë para Allahut xh.sh. sepse asgjë nuk është në dorën e tij dhe çdo gjë është në dorën e Allahut xh.sh., Ai vepron me robin e Tij çfarë të dojë. 

-Kjo bindje dhe ky besim në këta dy emra të bukur të Tij, subhanehu ve teala, e bën njeriun t’i mbështetet Atij, të bëjë tevekul në Të.

-Besimi në këta dy emra të Allahut xh.sh. e bën robin ta dojë atë, të shpresojë tek Ai, ta lusë Atë, mos t’i humbë shpresat nga Ai, subhanehu ve teala.

-Besimi në këta dy emra e bën njeriun t’ia ketë frikën lartmadhërisë së Tij, subhanehu ve teala.

-Besimi në kader apo caktim të Allahut xh.sh. të jetë i bindur se atë që ia jep Allahu, ajo është hair për të dhe atë nuk ia jep apo ia vonon dhe ia shtyn, edhe ajo është hair për të dhe se çdo gjë është me caktimin e Tij xh.sh..

-Dhënia përparësi asaj që i ka dhënë Allahu përparësi dhe lënia pas e asaj që Allahu e ka lënë pas, prandaj farzet e fesë i kryejmë ashtu siç ka urdhëruar Allahu. Ne i japim përparësi namazit sepse Allahu e ka vënë të parin nga veprat e mira, pastaj i japim përparësi namazit farz ndaj atij nafile sepse ashtu Allahu i ka dhënë përparësi. I japim përparësi zekatit ndaj lëmoshës sepse Allahu i ka dhënë përparësi. Tavafin e fillojmë nga kodra Safa e pastaj në Merva, sepse Allahu kështu i ka dhënë përparësi dhe kështu me radhë.

-Njeriu lutet pa u ndalur që Allahu xh.sh. t’i japë përparësi në hidajet, udhëzim, në Islam e në adhurim, ta bëjë besimtar të devotshëm, të sinqertë e të denjë, të garojë për këtë shkallë të cilën ia jep Allahu kujt të dojë. Atij që ia jep vërtet i ka dhënë përparësi, i ka dhënë shumë mirësi, siç ka thënë i Lartmadhëruari:سَابِقُوٓا إِلَىٰ مَغْفِرَةٍ مِّن رَّبِّكُمْ وَجَنَّةٍ عَرْضُهَا كَعَرْضِ ٱلسَّمَآءِ وَٱلْأَرْضِ أُعِدَّتْ لِلَّذِينَ ءَامَنُوا بِٱللَّهِ وَرُسُلِهِۦ ذَٰلِكَ فَضْلُ ٱللَّهِ يُؤْتِيهِ مَن يَشَآءُ وَٱللَّهُ ذُو ٱلْفَضْلِ ٱلْعَظِيمِ “Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe xhenetin që gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit e tokës, i përgatitur për ata që i besuan Allahut dhe të Dërguarve të Tij. Ajo është dhunti e Allahut që ia jep kujt të dojë, e Allahu është dhurues i madh.” (Hadid: 21)

Allahu na bëftë prej tyre!