Emrat e Allahut

85

الشَّافِي

Esh-Shafi

Shëruesi

Kategoritë

  • Mëshira
  • Mbrojtja

Kush të shëron kur sëmurësh?

Esh-Shafi është Ai që shëron trupin dhe zemrën, sepse nuk ka shërim përveç atij që vjen prej Tij.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri Esh-Shafi, I Shëruesi, Ky emër nuk ka ardhur në Kur’an si emër, por ka ardhur si folje apo në formë folje, si në ajetin: 

وَإِذَا مَرِضْتُ فَهُوَ يَشْفِينِ“i Cili, kur sëmurem, më shëron”. (Shuara: 80)

Ndërsa si emër i Allahut ka ardhur në hadith. Aishja r.a. tregon se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kur shikonte ndonjë të sëmurë apo i sillej atij ndonjë i sëmurë, lutej për të, e fërkonte me dorë dhe thoshte: “Zoti i njerëzve, largoja këtë vështirësi dhe shëroje sepse Ti je Shërues, nuk ka shërim pos shërimit Tënd. Shëroje me shërim të plotë pa lënë ndonjë pasojë”.

Allahu është Shërues i vërtetë i të gjitha sëmundjeve, atyre trupore, psikike, të zemrës e të tjera, nuk ka shërues tjetër pos Tij, subahnehu ve teala. Ibrahimi, alejhi selam, kur debatoi me popullin e tij rreth veçimit të Allahut me adhurim, mes të tjerash u tha:ٱلَّذِى خَلَقَنِى فَهُوَ يَهْدِينِ
وَٱلَّذِى هُوَ يُطْعِمُنِى وَيَسْقِينِ
وَإِذَا مَرِضْتُ فَهُوَ يَشْفِينِ
وَٱلَّذِى يُمِيتُنِى ثُمَّ يُحْيِينِ
“i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë); i Cili më ushqen dhe më jep të pi; i Cili, kur sëmurem, më shëron; i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë“. (Shuara: 78-81), që nënkupton se Ai i vetmi i ka këto gjëra dhe çdo gjë tjetër, ndër to edhe shërimin, prandaj çfarëdo sëmundje që më godet mua apo këdo qoftë nga njerëzimi, madje nga të gjitha krijesat, nuk e shëron kush pos Allahut xh.sh.. Ai është Esh-Shafi, Shëruesi. 

Ibnu Kethiri për ajetin 80 të sures Shuara : (...kur sëmurem, më shëron...) thotë: “Kur më kap ndonjë sëmundje, nuk ka kush fuqi të më shërojë pos Allahut, por duke vepruar shkaqet që më shpien në shërim”.

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Allahu xh.sh. është i vetmi shërues, askush nuk mund të shërojë pos Tij, në dorën e Tij është shërimi, Ai është Esh-Shafi.

-Bindja se në dorën e Allahut është shërimi nuk bie në kundërshtim me marrjen e shkaqeve për mjekim sepse vetë shkaqet i ka krijuar Allahu.

-Për çdo sëmundje Allahu ka krijuar ilaç. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Për çdo sëmundje ka ilaç, ashtu që nëse ilaçi i përshtatet sëmundjes, atëherë shërohet me lejen e Allahut”.

-Është e lejuar e madje e kërkuar që njeriu ta kërkojë ilaçin, të mjekohet.

Kanë ardhur te Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, disa beduinë nga malësia dhe i kanë thënë: -A të mjekohemi (të kërkojmë ilaç për shërim? Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, u tha: “Mjekohuni, o ju njerëz, sepse Allahu xh.sh. nuk ka dërguar sëmundje e që nuk ka sjellë për të ilaç, pos një sëmundjeje, e ajo është pleqëria”.

-Bindja se mjeku nuk shëron, por mjekon, zaten ai nuk quhet shërues, por quhet mjek sepse mjekon, e shërues është vetëm Allahu xh.sh..

-Lejohet që njeriu t’i lutet Allahut xh.sh. me këtë emër për ta shëruar: ‘Ja Shafi ishfini’, o Shërues, më shëro!

*Për veprimin e shkaqeve për mjekim duhen pasur parasysh tri gjëra shumë të rëndësishme:

a) të veprohen shkaqet legjitime, të lejuara, qofshin ato fetare, qofshin mjekësore apo natyrore;

b) të mos u mbështetemi ilaçeve sepse ilaçet nuk shërojnë pa lejen e Allahut, por t’i mbështetemi Allahut xh.sh., Shëruesit;

c) të jemi të bindur se shkaqet apo sebepet nuk shërojnë, sado të forta qofshin ato, porse ato janë të ndërlidhura me caktimin e Allahut xh.sh., me kaderin e Tij, nëse Ai e ka shkruar që do shërohemi, kemi për t’u shëruar, e pastaj nëse e ka shkruar që do shërohemi nga ai ilaç, kemi për t’u shëruar. Asgjë nuk ndodh pa lejen e Allahut dhe se vetëm Ai është Shërues, siç e pamë në hadithin ku Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, tha:

“...Ti je Shërues, nuk ka shërim pos shërimit Tënd...”

Allahu na shëroftë ne dhe tërë muslimanët nga çdo lloj sëmundjeje, amin!