Emrat e Allahut

05

الْقَيُّومُ

El-Kajjum

Mbajtësi i gjithçkaje

Kategoritë

  • Furnizimi
  • Mbrojtja
  • Madhështia

Kush mban gjithësinë që të mos shembet?

El-Kajjum qëndron vetvetiu dhe mban çdo krijesë. Qiejt, toka dhe ne jemi të varur prej Tij.

Sa i përket lartmadhërisë së Allahut, kuptimi i këtij emri do të thotë: Mbarëvajtësi, Mbajtësi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje që ekziston, Ai që qëndron vetvetiu pa pasur nevojë për askënd dhe çdo gjë qëndron me Të, e varur prej Tij dhe çdo gjë ka nevojë për Të, siç thotë Ibnu Kajimi.

Taberiu ka thënë: “El-Kaj-jum është cilësi e Allahut, subhanehu ve teala, të cilën e ka theksuar për Veten e Tij, se Ai kujdeset dhe rregullon çështjet e çdo krijese në rizkun e tyre, i dirigjon ato, i mbron ato me fuqinë e Tij ”.

Zemahsheriu ka thënë: “El-Kaj-jum, i Përhershmi, i cili përkujdeset për krijesat e Tij, i rregullon dhe ruan ato”.

Ibnu Tejmije ka thënë: “Emri El-Kaj-jum do të thotë që nuk zhduket, nuk i paraqitet ndonjë mangësi pasi është i plotë, do të thotë se Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë i tillë, i përhershëm, i përshkruar me cilësitë e Tij të përkryera, pa iu shfaqur asnjë mangësi, ndryshim, prishje apo tjetërsim dhe gjëra të tjera të cilat u shfaqen krijesave që zhduken. Nga kuptimi i plotë i këtij emri është që mos të marrë gjumi e as dremitja sepse në to ka mangësi që kundërshtojnë kuptimin e El-Kaj-jum...

Alusi përmend se disa dijetarë kanë thënë: “El-Kaj-jum do të thotë Ai që qëndron vetvetiu dhe mban të tjerët”.

Nga kjo që u tha, kuptojmë se emri i Allahut, El-Kaj-jum, vërteton qëndrueshmërinë e Allahut dhe se ajo është cilësi e Tij, që ka kuptimin se Allahu qëndron vetvetiu dhe mban të tjerët apo me Të qëndrojnë të tjerët.

Nga ky emër kuptojmë dy gjëra:

E para: Pavarësinë e Tij nga çdo krijesë tjetër, sepse Ai qëndron vetvetiu, nuk ka nevojë për të tjerët, siç ka thënë Allahu për Veten e Tij:

يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ أَنتُمُ ٱلْفُقَرَآءُ إِلَى ٱللَّهِ وَٱللَّهُ هُوَ ٱلْغَنِىُّ ٱلْحَمِيدُ“O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.” (Fatir: 15)

Në hadith kudsij ka ardhur: “...O ju robërit e Mi, ju nuk do arrini të më bëni Mua dëm, ashtu sikurse nuk do arrini të më bëni Mua dobi...”

Në asnjë formë a mënyrë Allahu nuk ka nevojë për krijesat e Tij, është plotësisht i pavarur prej tyre.

E dyta: Dirigjimi dhe kujdesi i Tij, mbarëvajtja e Tij, subhanehu ve teala, për krijesat e Tij, ashtu që Ai me fuqinë e Tij i mban ato, i dirigjon ato, u jep rizk, u jep jetë e vdekje krijesave. Ato vërtet janë të varfra para madhërisë së Tij, të nevojshme për Të, duke filluar nga krijesa më e madhe e Tij, që është Arshi, e me radhë krijesat e tjera në qiej e në tokë deri tek ato më të voglat. Ato kanë nevojë për Të, nuk mund të qëndrojnë fare pa Të, pa ndihmën e Tij, pa fuqinë e Tij, subhanehu ve teala.

El-Haj-ju dhe El-Kaj-jum së bashku

Këta dy emra të bukur të Allahut së bashku janë përmbledhës dhe përfshirës të kuptimit të emrave të bukur të Allahut, rreth tyre sillen emrat e bukur të Allahut. Të gjitha cilësitë, sifatet, e Allahut kthehen të këta dy emra.

Emri El-Haj-ju, i Gjalli, i Përhershmi, përmbledh cilësitë që kanë të bëjnë me qenien e Allahut, sifat dhatije, cilësi personale. Cilësitë personale të Allahut, ef'al dhatije, si: dëgjimi, dija, dora e Tij e të tjera, të gjitha këto kthehen tek emri i Tij, El-Haj-ju, i Gjalli.

Ndërsa emri tjetër, El-Kaj-jum - Mbajtësi i gjithçkaje, përmbledh cilësitë e veprimit. Cilësitë e Tij vepruese, ef'al fialije, si: krijimi, furnizim apo rizku, ngjallja dhe vdekja e krijesave dhe cilësi të tjera të ngjashme kthehen tek emri i Tij El-Kaj-jum - Mbajtësi i gjithçkaje.

Shejh Seadi për këta dy emra ka thënë: “El-Haj-ju është përmbledhës i cilësive personale, sifat dhatije, të Allahut, ndërsa emri El-Kaj-jum është përmbledhës i cilësive vepruese, sifat falije, të Allahut.

Nisur nga kjo disa dijetarë janë të mendimit se këta dy emra përbëjnë emrin më të madh të Allahut, me të cilin nëse lutet, përgjigjet dhe nëse i kërkohet diçka, jep. Ata dijetare janë bazuar në disa hadithe në të cilat është përmendur emri më i madh i Allahut dhe aty kanë qenë këta dy emra, ndër to hadithi i Enes Bin Malikut r.a., që e kemi cekur më larte kur kemi folur për emrin më të madh të Allahut xh.sh..

Këta dy emra së bashku nëse përdoren për lutje, kanë efekt shumë të madh në përgjigjen e saj. Pejgamberi, sal-Allahu alejni ve sel-lem, kur kishte brenga e gajle të mëdha, shpesh lutej me këta dy emra të Allahut xh.sh.:

“O i Gjallë, i Përjetshëm, o Mbajtësi i gjithçkaje, me mëshirën Tënde Kërkoj ndihmë!“

Gjithashtu duaja me këta emra ka efekt të madh në pranimin e istigfarit nga ana e Allahut xh.sh., në fshirjen e gjunaheve. Në hadithin e Abdullah Bin Mesudit r.a. ka ardhur se Peigamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Kush thotë: Estagfirullah el-Adhim, që nuk ka zot tjetër pos Tij, Ai është i Gjalli, i Përjetshmi, Mbajtësi i gjithçkaje dhe tek Ai pendohem, tri herë, i falen gjunahet e tij, edhe nëse ka ikur nga fronti (i luftës)“.

- Sigurisht që njohja e kuptimit të këtyre dy emrave të bukur të Allahut dhe të punuarit me to ka rëndësi të madhe në jetën e muslimanit, në imanin e tij, në mbështetjen e tij, ne lutjet e tij, në jetën e tij të kësaj bote dhe të tjetrës.