Emrat e Allahut

54

الْكَرِيمُ

El-Kerim

Bujari

Kategoritë

  • Bukuria
  • Furnizimi
  • Mëshira

Ç'të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd Bujar?

El-Kerim është Bujari që s’ka fund — çdo e mirë që ke është dhuratë nga bujaria e Tij.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Kerim - Bujari, që mirësitë e Tij nuk kanë të sosur dhe fisnikëria e Tij është e pashembullt. Ky emër i Allahut është përmendur tri herë në Kur’an, në ajetet: 

قَالَ ٱلَّذِى عِندَهُۥ عِلْمٌ مِّنَ ٱلْكِتَٰبِ أَنَا۠ ءَاتِيكَ بِهِۦ قَبْلَ أَن يَرْتَدَّ إِلَيْكَ طَرْفُكَ فَلَمَّا رَءَاهُ مُسْتَقِرًّا عِندَهُۥ قَالَ هَٰذَا مِن فَضْلِ رَبِّى لِيَبْلُوَنِىٓ ءَأَشْكُرُ أَمْ أَكْفُرُ وَمَن شَكَرَ فَإِنَّمَا يَشْكُرُ لِنَفْسِهِۦ وَمَن كَفَرَ فَإِنَّ رَبِّى غَنِىٌّ كَرِيمٌ“...Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, e kush përbuz, Zoti im (s’ka nevojë) është i Pasuri e Bujari”. (Neml: 40)

يَٰٓأَيُّهَا ٱلْإِنسَٰنُ مَا غَرَّكَ بِرَبِّكَ ٱلْكَرِيمِ“O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd Bujar?!” (Infitar: 6)

فَتَعَٰلَى ٱللَّهُ ٱلْمَلِكُ ٱلْحَقُّ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ رَبُّ ٱلْعَرْشِ ٱلْكَرِيمِ“I lartë është Allahu, Sunduesi i vërtetë, nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Tij, Zoti i Arshit, Fisniku”. (Muminun: 116)

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

- Bindja se të mirat e Allahut nuk kanë fund, ashtu sikurse bujaria e Tij. 

- Çdo bujari tjetër, e kujtdo qoftë dhe sado e madhe qoftë, merr fund, pos bujarisë së Tij, subhanehu ve teala.

- Kjo cilësi e bujarisë, sikurse cilësitë e tjera të Allahut, tregojnë madhështinë e Tij, panevojshmërinë e Tij për askënd dhe nevojën e çdokujt tjetër për Të, të qenët e Tij pa të meta, pa mangësi, subhanehu ve teala.

- El-Kerim apo bujar i vërtetë është ai që jep pa shkak, madje pa ia kërkuar fare dhe jep më shumë sesa ke nevojë. Ky është Allahu xh.sh..

- Bujaria e Tij ka përfshirë mbarë njerëzimin, madje mbarë krijesat e Tij, u jep të mirëve dhe të këqijve, besimtarëve dhe jobesimtarëve, atyre që e falënderojnë dhe atyre që nuk e falënderojnë apo që ia përbuzin dhuntitë e Tij.

- Bujaria e Tij ka bërë që kush i drejtohet dhe i mbështetet Atij, nuk zhgënjehet.

- Bujaria e Tij ka bërë që të japë dhe mos të kërkojë kompensim për atë të mirë.

- Prej bujarisë së Tij është që për një punë të mirë shpërblen nga dhjetë deri në shtatëqind fish dhe ia shton kujt të dojë më shumë se kaq.

- Prej bujarisë së Tij është që kur njeriut i shkon mendja për të bërë mirë, por nuk e bën, ia shënon sevap vetëm pse i ka shkuar mendja për mirë, aq më shumë nëse e bën atë të mirë.

- Këto dhe urtësi të tjera të këtij emri të bukur i mundësojnë njeriut ta njohë më mirë Allahun, bujarinë e Tij, madhështinë e Tij dhe ta dojë Atë më shumë se çdokënd tjetër, të lidhet me Të dhe të jetojë për Të, për fenë e Tij, subhanehu ve teala.