Emrat e Allahut

33

الْحَكِيمُ

El-Hakim

I Urti

Kategoritë

  • Urtësia
  • Dituria

Asgjë nuk ndodh pa urtësinë e Tij

El-Hakim është Ai që çdo gjë e rregullon me urtësi — çdo caktim i Tij është për të mirën tënde.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Hakim - I Urti, që flet të vërtetën dhe vepron të përsosurën. Ky emër haset dhjetëra herë në Kur’an, mbi 90 herë. Në të gjitha rastet ka ardhur i bashkëngjitur me ndonjë emër tjetër, si fjala vjen i shoqëruar me emrin El-Aziz - Fuqiploti, siç është ajeti:

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا بِـَٔايَٰتِنَا سَوْفَ نُصْلِيهِمْ نَارًا كُلَّمَا نَضِجَتْ جُلُودُهُم بَدَّلْنَٰهُمْ جُلُودًا غَيْرَهَا لِيَذُوقُوا ٱلْعَذَابَ إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ عَزِيزًا حَكِيمًا“Ata që s’besojnë në shenjat Tona, Ne pa dyshim, do t’i djegim në zjarr. Sapo t’u digjet lëkura, Ne do t’ua ndërrojmë atë me lëkurë tjetër, për të përjetuar dënimin. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë”. (Nisa: 56)

Kuptimi i emrit el-hakim sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Taberiu ka thënë: “El-Hakim është ai që në rregullimin e Tij nuk ka mospërputhje dhe gabime”.

Hatabi ka thënë: “Kuptimi i përsosmërisë të krijimit të gjërave ka për qëllim mbikëqyrjen dhe udhëzimin e krijesave, ashtu që Ai ka krijuar në mënyrë të përkryer dhe me urtësi të përkryer çdo krijesë të Tij, siç ka thënë Allahu xh.sh.:

ٱلَّذِىٓ أَحْسَنَ كُلَّ شَىْءٍ خَلَقَهُۥ وَبَدَأَ خَلْقَ ٱلْإِنسَٰنِ مِن طِينٍ“...i Cili ka përsosur çdo gjë që ka krijuar...” (Sexhde: 7)

Me këtë Allahu nuk dëshiron të na sinjalizojë për bukurinë e krijesave të Tij, ngase ky kuptim nuk është i saktë në disa krijesa si majmuni, derri, ariu dhe shtazë të tjera, por kuptimi i ajetit është përsosmëria e krijimit në çdo gjë që ka krijuar, ashtu si ka dashur Ai, rregullimi i tyre në formën apo trajtën që e ka zgjedhur për to, siç ka thënë Allahu:

ٱلَّذِى لَهُۥ مُلْكُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَلَمْ يَتَّخِذْ وَلَدًا وَلَمْ يَكُن لَّهُۥ شَرِيكٌ فِى ٱلْمُلْكِ وَخَلَقَ كُلَّ شَىْءٍ فَقَدَّرَهُۥ تَقْدِيرًا“...i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!” (Furkan: 2).

*Gjithçka që shikon njeriu te krijesat e Allahut, duke filluar nga vetja e deri te qiejt e toka dhe çfarë ka në to apo për çfarë dëgjon e mëson për to janë urtësi e përkryer në çdo krijesë. Çdo pjesë e secilës krijesë tregon për urtësinë e të madhit Zot, për dijen e Tij absolute, për madhështinë e Tij, për përsosmërinë e Tij dhe njeriu nuk ka si të mos bindet se vërtet Allahu është El-Hakim - i Urtë dhe se urtësia e Tij ka përfshirë çdo gjë në këtë gjithësi, subhanehu ve teala.

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

Sigurisht që frytet e besimit në këtë emër janë të shumta, por le të cekim disa prej tyre:

-Njohja e Allahut xh.sh.: Çdo gjë që sheh në këtë dunja, çdo krijesë, çdo proces i atyre krijesave tregon për të Urtin, për urtësinë e përkryer të Tij. Kjo e bën njeriun ta njohë Allahun më mirë, kurse njohja e Allahut është madhështi e madhe, është qëllimi kryesor i ardhjes së njeriut në këtë dunja.

-Forcimi i imanit: Sigurisht që ndër frytet e mëdha dhe të rëndësishme të besimit në këtë emër të Allahut është forcimi i imanit, i bindjes në Allahun xh.sh., sepse çdo gjë që sheh në këtë gjithësi, çdo gjë me të cilën ballafaqohet, sheh se ka urtësi të përkryer dhe se asgjë nuk është e rastësishme. Nëse njeriu ndalet dhe mediton për çfarëdo krijesë të Allahut, qoftë në këtë hapësirë të pafund qiellore, qoftë në tokë dhe çfarë sheh në të, qoftë në ndonjë krijesë shumë të vogël apo shumë të madhe, ai në të sheh çudira të cilat e mahnitin njeriun, saqë ai nuk ka rrugë tjetër përveçse të thotë subhanallah, i lartësuar është i Urti, që çdo gjë e ka krijuar me një urtësi të përkryer dhe asgjë nuk i ka ikur Atij, as detaji më i vogël. Kjo ia forcon shumë imanin, ia forcon shumë lidhjen me Krijuesin, me të Urtin.

- Dashuria ndaj Allahut xh.sh.: Kur njeriu e sheh gjithë këtë urtësi mahnitëse te krijesat e Allahut, duke nisur nga vetja e tij, i shtohet dashuria ndaj të Urtit, ndaj të Butit, ndaj të Mëshirshmit, ndaj Krijuesit absolut.

- Pajtimi me caktimin e Zotit xh.sh.: Kur e kupton se çdo gjë është me vullnetin e Allahut, se çdo gjë është me caktimin e Tij, atëherë njeriu pajtohet me çfarëdo që ndodh, qoftë sprovë e hidhur apo e pakëndshme, dhe thotë me vete: Subhanallah, i lartësuar qoftë Ai që di çdo gjë, i lartësuar qoftë i Urti, që është i urtë në caktimin e Tij, ndaj zemra e robit duhet t’i dorëzohet atij caktimi.

Kur njeriu do diçka, kur përpiqet të bëjë një punë apo të arrijë diçka e nuk mundet, ai nuk zhgënjehet, nuk dëshpërohet, por thotë: Sigurisht këtu ka një urtësi, sigurisht se pas kësaj ka një urtësi të përkryer, të cilën unë tani nuk e di, por ndoshta më vonë e kuptoj. Kur e kupton më vonë, ai thotë: Elhamdulilah që nuk u bë ajo apo kjo punë, se kështu paska qenë hair.

Ky pajtim është edhe në çështjet e fesë apo obligimet e saj, pasi njeriu e di se çdo farz, çdo urdhëresë e ndalesë ka urtësi të përkryer, edhe pse ne njerëzit nuk jemi në gjendje t’i kuptojmë shumë prej tyre.