Emrat e Allahut

03

الرَّحْمَنُ , الرَّحِيمُ

Er-Rrahman, Er-Rrahim

I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti

Kategoritë

  • Mëshira
  • Falja

A ndjeve ndonjëherë mëshirën e Tij?

Allahu të mëshiron më shumë se çdo njeri.

Këta dy emra janë nga emrat e bukur të Allahut xh.sh., shumë të përhapur, shumë të njohur për të gjithë muslimanët, shumë të përdorur. Hasen shumë shpesh në Kur' an, ashtu që emri Err-Rrahman është cekur 57 herë në Kur'an, ndërsa emri Err-Rrahim është cekur në 123 vende ne Kur' an.

Këta dy emra rrjedhin prej 'err-rrahmetu', mëshirës. Rahmeti apo mëshira e Allahut është e plotë, nga ajo mëshirë Allahu i mëshiron krijesat e Tij, të gjitha pa përjashtim.

Të dy emrat vërtetojnë mëshirën e madhe që ka Allahu xh.sh., por megjithatë ka dallim mes dy emrave.

Dallimet mes dy emrave

Dijetarët kanë përmendur disa dallime mes dy emrave, të cilat do t' i japim shkurtimisht.

I pari: Err-Rrahman është i Gjithëmëshirshmi për të gjitha krijesat e Tij. Allahu ka përfshirë me mëshirën e Tij çdo krijesë në këtë dunja, ndërsa në ahiret mëshiron vetëm besimtarët, ndërsa Err-Rrahim mëshiruesi është ndaj muslimanëve Ditën e Kiametit.

I dyti: Er-Rrahman tregon cilësinë personale të Allahut, dhatije, që i përket madhërisë së Tij, që nënkupton se mëshira është cilësi e Tij e pandashme, ndërsa Err-Rrahim është cilësi veprimi, fi'alijeh, mëshirues ndaj robërve të Tij. Kjo do të thotë se e para është cilësi, ndërsa e dyta është veprim.

I treti: Emri Err-Rrahman është ndër emrat me të cilët nuk lejohet të quhet apo të emërtohet asnjë nga krijesat e Tij. Allahu xh.sh. ka thënë:

قُلِ ٱدْعُوا ٱللَّهَ أَوِ ٱدْعُوا ٱلرَّحْمَٰنَ أَيًّا مَّا تَدْعُوا فَلَهُ ٱلْأَسْمَآءُ ٱلْحُسْنَىٰ وَلَا تَجْهَرْ بِصَلَاتِكَ وَلَا تُخَافِتْ بِهَا وَٱبْتَغِ بَيْنَ ذَٰلِكَ سَبِيلًا“Thuaj: “Thirrni Allahun ose thirrni (Err-Rrahman) të Gjithëmëshirshmin, me cilindo emër që ta thirrni ju Atë, Ai ka emrat më të bukur…“ (lsra: 110)

Ajeti barazoi emrin Err-Rrahman me emrin në të cilin nuk merr pjesë askush, që është emri Allah. Sa i përket emrit Err-Rrahim, lejohet të emërtohet edhe njeriu sepse Allahu e ka përshkruar Pejgamberin e Tij me këtë emër kur tha:

لَقَدْ جَآءَكُمْ رَسُولٌ مِّنْ أَنفُسِكُمْ عَزِيزٌ عَلَيْهِ مَا عَنِتُّمْ حَرِيصٌ عَلَيْكُم بِٱلْمُؤْمِنِينَ رَءُوفٌ رَّحِيمٌ“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjunahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.“ (Tevbe: 128)

Pozita e këtyre dy emrave

Këta dy emra kanë një pozite shumë të lartë:- Me ta Allahu ka filluar suren Fatiha, që është 'Nëna e Kur'anit',

- Me këta dy emra Sulejmani, alejhi selam, e filloi letrën e tij dërguar mbretëreshës Belkisë:

إِنَّهُۥ مِن سُلَيْمَٰنَ وَإِنَّهُۥ بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ“Ajo është nga Sulejmani dhe është: “(Bismilahi Rrahmani Rrahim) Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!“ (Neml: 30)

- Me këta dy emra, që është fjalia 'Bismilahi Rrahmani Rrahim', meleku Xhibril ia zbriste çdo sure Pejgamberit Muhamed, sal-Allahu alejhi ve sel-lem. Me të fillon çdo sure e Kur' anit.

- Prej rahmetit të Tij ka bërë që krijesat t'i shërbejnë njëra-tjetrës e pastaj të gjitha t'i shërbejnë njeriut.

- Rënia e shiut dhe e borës, ndryshimi i natës dhe i ditës, ndryshimi i stinëve të vitit janë prej gjurmëve të rahmetit të Tij.

- Çdo gjë që sheh në natyrë është nga gjurmët e rahmetit të Tij.

- Rahmeti i Tij e mund dënimin e Tij, është para dënimit të Tij. Kjo mëshirë përfshin të mirët dhe të këqijtë, muslimanët e jomuslimanët, njerëzit dhe kafshët.

- Falë rahmetit të Tij zullumqarët vazhdojnë të jetojnë të lirë, të hanë e të pinë thuajse nuk kanë bërë asgjë.

- Dashuria ndaj Allahut dhe Pejgamberit të Tij nga ana e muslimanëve, dashuria ndaj muslimanëve mes vete, dëshira dhe vullneti për të bërë punë të hairit, për t'i ndihmuar të tjerët, në veçanti nevojtarët, është nga gjurmët e rahmetit të Tij.

- Shpallja e dinit islam, din i lehtë dhe i përshtatshëm me natyrën e tij, si fe mesatare që nuk e ngarkon askënd përtej mundësive, është prej gjurmëve të rahmetit të Tij.

- Namazi dhe zekati, agjërimi, haxhi dhe çdo farz tjetër, madje edhe çdo sunet është prej gjurmëve të rahmetit të Tij.

- Pranimi i pendimit të robërve të Tij është prej gjurmëve të rahmetit të Tij. Për gjunahqarët që kanë bërë shumë mëkate dhe kanë frike se nuk kanë shpëtim, Allahu ka thënë:

قُلْ يَٰعِبَادِىَ ٱلَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ ٱللَّهِ إِنَّ ٱللَّهَ يَغْفِرُ ٱلذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُۥ هُوَ ٱلْغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ“Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjunahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjunahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.“ (Zumer: 53)

Sado që njeriu bën mëkate, qoftë edhe sa toka po të ishte e zbrazët e të mbushej plot brenda saj më mëkate, apo qoftë edhe mëkatet të renditeshin njëri sipër tjetrit dhe të arrinin kupën e qiellit, ai nuk ka arsye të dëshpërohet nga mëshira e Allahut sepse Allahu fal shumë, më shumë se kushdo tjetër. Allahu thotë: - O ju robërit e Mi, mos u dëshpëroni nga mëshira Ime, nga falja Ime, Unë mëshiroj shumë, fal shumë, veç ejani tek Unë, trokitni në derën Time, do e gjeni të hapur, kurdo që të trokisni. Vëlla e motër që keni bërë gjunahe shumë, të gjithë jemi gjunahqarë, mos u dëshpëroni por kërkoni falje, pendohuni tek Allahu, Allahu ju pranon pendimin, ju fal e ju mëshiron, subhanehu ve teala.

وَأَقِيمُوا ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتُوا ٱلزَّكَوٰةَ وَأَطِيعُوا ٱلرَّسُولَ لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ“Falni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni të Dërguarit në mënyrë që të mëshiroheni“. (Nur: 56)

وَلَا تُفْسِدُوا فِى ٱلْأَرْضِ بَعْدَ إِصْلَٰحِهَا وَٱدْعُوهُ خَوْفًا وَطَمَعًا إِنَّ رَحْمَتَ ٱللَّهِ قَرِيبٌ مِّنَ ٱلْمُحْسِنِينَ“ ... vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.“ (Earaf: 56)

-Sa më i mëshirshëm të jetë njeriu ndaj krijesave të Zotit, aq më i mëshirshëm është Allahu ndaj tij, siç; ka ardhur në hadith të vërtetë:

“Mëshiruesit i mëshiron i Gjithëmëshirshmi (Err-Rrahman), ndaj mëshironi ata që janë në tokë, ju mëshiron Ai që është në qiell !“

- Krijesa më e madhe e Allahut është Arshi, ndërsa cilësi më e gjerë e Tij është rahmeti.

- Allahu xh.sh. është ngritur mbi krijesën më të gjerë, e cila është më e madhe se tërë kjo gjithësi, me cilësinë e mëshirës, rahmetit të Tij, që ka përfshirë çdo gjë. Ai ka shënuar për Vetën e Tij:

“Mëshira Ime është më e madhe (më e gjerë) sesa hidhërimi Im.“

Mëshira e Allahut është më e madhe se mëshira e njerëzve mes vete

Vërtet Allahu është më i mëshirshëm për robërit e Tij sesa ata për veten e tyre. Në hadithin e Umer Bin Hatabit, r.a., ka ardhur se përderisa një grup robërish lufte ishin sjellë në Medine dhe një grua nga mesi i tyre po kërkonte fëmijën e saj, i cili i kishte ikur nga duart e saj, pasi e gjeti, ajo u gëzua së tepërmi, e përqafoi, e shtrëngoi dhe filloi ti jepte gji. Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, me shokë po e shikonin këtë veprim të saj dhe u tha shokëve:

“E shihni këtë grua (se si veproi me fëmijën e saj)? A ka mundësi të pajtohet (kjo nënë) ta hedhë fëmijën e saj në zjarr?!“ I thamë: “Jo, vallahi nuk ka mundësi, përderisa mundet të mos e hedhë atë (në zjarr)“. Pejgamberi, sal- Allahu alejhi ve sel-lem, u tha: “Allahu është më i mëshirshëm për robërit e Tij sesa kjo për fëmijën e saj“.

Mëshira në sprova

Dikush mund të thotë si ka mundësi që mëshira e Allahut të përfshijë çdo gjë, kurse njeriu gjatë jetës sëmuret, varfërohet, ka sprova të ndryshme, të cilat ia vështirësojnë jetën?

Përgjigjja është se nuk ka të keqe apo të ligë që e godet njeriun e që në të nuk ka ndonjë hair, i cili ia zvogëlon atë të ligë atij, sikurse mjeku që ia amputon këmbën apo gishtin pacientit, që në shikim të parë është e keqe, por ajo që fshihet pas atij operacioni, që është shpëtimi i jetës së tij, është shumë më e madhe.

Kush e njeh Allahun, e di se është Err-Rrahman Err-Rrahim, është i Gjithëmëshirshëm, prandaj nuk e akuzon Allahun xh.sh., por mendjen e tij, e cila nuk arrin t'i kuptojë fshehtësitë e asaj sprove dhe është shumë normale që njeriu mos të kuptoj çdo fshehtësi apo urtësi të veprave të Allahut xh.sh..Sa herë ndodh që sëmundja bëhet shkak për dikë që të shpëtoj nga ndonjë bela edhe më e madhe?! Sa herë ndodh që varfëria të jetë hair për të sepse po të ishte i pasur, do vuante shumë, ndoshta do ia shihte sherrin pasurisë, por Allahu me mëshirën e Tij të parin po e ruan me sëmundje, ndërsa të dytin me varfëri dhe kështu me radhë.

E dimë gjithashtu se në sprova ka hair të madh, si për dunja ashtu edhe për ahiret, për shembull ka falje mëkatesh, pastrim për njeriun, ngritje ne shkalle të larta, vetëdijesim të tij e kështu me radhë.

Mëshira e Allahut xh.sh. në botën tjetër

Kjo që u tha më lart për mëshirën, rahmetin e Allahut xh.sh., ka të bëjë me mëshirën e Tij në këtë dunja, ndërsa në ahiret gjërat ndryshojnë, atje mëshira e Allahut nuk është e përgjithshme për të gjithë, ajo është e përkufizuar vetëm për besimtarët. Ka ardhur në hadith të vërtetë se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Allahu ka 100 mëshira, nga to ka zbritur një mëshirë (me të cilën mëshiron) mes xhinëve, njerëzve, kafshëve, insekteve. Me atë (mëshirë) sillen butë njëra (krijesë) ndaj tjetrës, mëshirojnë njëra-tjetrën. Me të bisha e egër e mëshiron të voglin e saj. Ndërsa 99 mëshira Allahu i ka shtyrë (vonuar), me to mëshiron robërit e Tij (besimtarë) Ditën e Kiametit.”

Allahu atë ditë të madhe na mëshiroftë, madje edhe ma herët që nga çasti i vdekjes na forcoftë, vdekjen na e lehtësoftë, dënimin e varrit dhe të xhehenemit na e ndaloftë, xhenetet na i mundësoftë, mes vete me familje, shok e miq na bashkoftë, amin!

Frytet e imanit në këta dy emra

Kush i kupton këta dy emra të Allahut, kush i kupton gjurmët e tyre, atij i shtohet shumë imani, e njeh shumë mirë Allahun. E, ai që e njeh Allahun, ia njeh mirësitë e Tij, mëshirën e madhe të Tij dhe e do Atë. E, ai që e do Atë, ia do fenë e Tij, ia do Librin e Tij, Pejgamberin e Tij. Ai që e do Atë, ai nuk bën keq, por vetëm mirë, aq sa mundet dhe sa di. Ai mundohet të jetë si një qiri i cili është në gjendje edhe të shkrihet e të flijohet për të mirën e të tjerëve, për hir të Allahut, të dashurisë së Tij.

Ai që i kupton këta dy emra është i qetë e stabil, e di se kë ka Zot, ndaj Atij i lutet, i mbështet dhe me Të jeton, për Të vdes dhe takimin me Të e synon.