Emrat e Allahut

VI

Emri më i madh i Allahut xh.sh

Emrat e Allahut, edhe pse të gjithë janë të bukur, të mëdhenj, megjithatë disa emra dallojnë nga disa të tjerë, siç e tregon Kur'ani, Suneti dhe konsensusi i dijetareve, madje edhe logjika e shëndoshë, siç thotë Ibnu Tejmije dhe të tjerë.

Ndër ato argumente kemi edhe hadithe që tregojnë se Allahu ka një emër, që është emri i Tij më i madhi, ashtu që nëse i lutemi me të, Ai na jep dhe nëse i kërkohet Atij me atë emër, i përgjigjet robit të Tij. Ky emër është më i veçantë se emrat e tjerë.

Ndër ato hadithe janë:

- Hadithi i Enes Bin Malikut r.a., se ai ka qenë ulur në xhami me Pejgamberin, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, e një njeri po falej, pastaj u lut e tha:

“O Zoti im, unë të lus Ty me atë që Ty të takon falënderimi, nuk ka Zot tjetër pos Teje (je Em-Men-nan), Dhurues (që dhuron shumë), Shpikës (Bediu) i qiejve dhe i tokës, (ja Dhel Xhelali ve el Ikram) o Ti që je i madhëruar e bujar, (ja Haj-j, ja Kaj-jum), o Ti që je i Gjallë, i Përjetshëm dhe Mbajtës, Mbikëqyrës i çdo gjëje!“
Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, tha: “Vërtet e ka lutur Allahun me emrin e Tij të madh, me të cilin nëse lutet, i përgjigjet dhe nëse i kërkohet diçka, jep“.

Ky hadith sqaron se Allahu ka një emër të madh, emër të veçantë, me të cilin kur lutet, përgjigjet dhe kur i kërkohet diçka, jep dhe hadithi tregon se këtë emër e përmendi sahabi në fjalë gjatë lutjes së tij.

- Hadithi i Burejdete Bin El-Husajbit r.a., i cili tregon se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, e ka dëgjuar një njeri duke thënë:

“O Zoti im, unë të lus Ty me dëshminë time se Ti je Allahu (el-ehad, es-samed, el-ledhi lem jelid ve lem juled ve lem je kun lehu kufuven ehad), nuk ka Zot tjetër pos Teje, Ti je Një, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim, i Cili nuk lind e as nuk është i lindur dhe askush nuk është i barabartë me Të“. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i tha: “Vërtet e ke lutur Allahun me emrin që nëse lutet me të, i përgjigjet dhe nëse i kërkohet diçka, jep. ”

Ibnu Haxheri ka thënë për këtë hadith së është më i sakti për nga transmetuesit e tij ndër të gjitha hadithet që përmendin emrin më të madh të Allahut.

Nga këto hadithe dhe të tjera dijetarët kanë dhënë disa mendime rreth emrit më të madh të Allahut, se çfarë është për qëllim dhe cili është ai emër, prandaj po përmend disa prej tyre.

- Mendimi i pare: Nuk ka emër më të madh të Allahut sesa ndonjë emër tjetër dhe se nuk është në rregull të lavdërojmë apo të veçojmë ndonjë emër. Këtë mendim e kanë Ebu Xheafer Et-Taberiu, Ebu El-Hasen El-Eshariu e disa të tjerë. Sa u përket haditheve ku ceket emri më i madh, me to është për qëllim vërtetimi i duasë në atë formë apo me ata emra.

- Mendimi i dyte: Emri më i madh i Allahut xh.sh. sigurisht që ekziston, por nuk e dimë ne dhe askush tjetër, ngase Allahu e ka fshehur në dijen e Tij të fshehtë dhe nuk ia ka treguar askujt.

- Mendimi i trete: Emri më i madh i Allahut xh.sh. sigurisht që ekziston dhe është i njohur për dikë, por a thua cili është ai emër?

Ulematë e këtij mendimi janë ndarë në shumë mendime, rreth 14 mendime, si: Allah, ose Allahu Err-Rrahman Errahim, ose Err-Rrahman Errahim El-Haj-j El-Kaj-jum, ose El-Haj-j El-Kaj-jum, ose La ilahe il-la Ente subhaneke in-ni kuntu min edh-dhalimin, ose Dhu el-Xhelali ve el-Ikram, ose Rab-bi, Rab-bi ose la ilahe il-lAllah, etj...

Mendimi i favorizuar

Ndoshta mendimi më i fortë dhe i favorizuar thotë se emri më i madh i Allahut xh.sh. është emri Allah, që është mendim i shumë dijetarëve të hershëm dhe të vonshëm për faktin se ky emër është përfshirës i të gjithë emrave të tjerë të Allahut xh.sh.. Thuhet se emrat e Allahut janë: I Dijshëm, i Urtë, i Mëshirshëm e të tjerë, që nënkupton se të gjithë emrat ia atribuojmë emrit Allah, por jo e kundërta, sepse nuk thuhet: Allah është nga emrat e Rrahmanit. Gjithashtu argument tjetër ështe fakti se me këtë emër nuk është quajtur askush pos lartmadhërisë se Tij.

Me rëndësi për besimtarin është që ta lusë Allahun me emrat e Tij të bukur dhe nëse e lut me emrin e madh apo ia ka qëlluar emrit të Tij më të madh, elhamdulilah, por nëse jo, prapë elhamdulilah.

Pas kësaj hyrjeje rreth emrave të Allahut, do të shohim cilët janë ata dhe do të mundohemi të tregomë se çfarë kuptimi kanë dhe si duhet të përfitojmë nga ata emra te bukur, ndaj duke kërkuar ndihmë, lehtësim dhe sukses nga i madhi Allah themi: